Shpërthen Halit Valteri: Ortaku i Lonit të Bankersit, financon qeverinë dhe opozitën

schedule13:01 - 17 Dhjetor, 2020

schedule 13:01 - 17 Dhjetor, 2020

Deputeti demokrat Halit Valteri ishte mjaft i ashpër sot në fjalën e tij në Kuvendin e Shqipërisë me qeverinë dhe socialistët. Valteri akuzoi se ortaku i Lonit të Bankersit, financon qeverinë dhe opozitën. Ai u kërkoi deputetëve, socialistë dhe të opozitës së re, që të jenë mjaft të kujdesshëm me projektligjet dhe emrat që votojnë.

Qytetarët shqiptarë shpresuan dhe besuan fort se reforma në drejtësi do të sillte një prokurori profesionale dhe do të udhëhiqej nga zbatimi i ligjit dhe pavarësia. Kishte shumë që ishin skeptikë, por fakti që mes nesh dhe të  gjithë kësaj ishte ambasadorja e Shteteve të Bashkuara i dha kredibilitet draftit të reformës në drejtësi dhe ktheu besimin se më në fund do të kishte një drejtësi të pavarur dhe se po afrohej koha e llogaridhënies.

Por nuk rezultoi gjë tjetër veç një mundësi e disa politikanëve për të sistemuar disa punë të tyre, ndërsa prokuroria nuk është gjëkundi. Nuk e di si do ta mbronte Zoti Çela punën e një viti dhe me cfarë bilanci do të vinte në këtë sallë. Në harkun e një viti kanë ndodhur mjaft atentate stil mafioz dhe mjaft padrejtësi të tjera që u janë bërë qytetarëve dhe prokuroria nuk ka bërë asgjë. Kemi zyrtarë shteti që abuzojnë ditën për diell dhe prokuroria nuk referon asnjë dosje në SPAK, por njëlloj si dikur kur kishim drejtësi të kalbur dokumentet mbyllen pa rezultat.

Sot kemi qeverinë më të korruptuar në raport me ligjin, por nuk ka asnjë referim në prokurori për ndonjë zyrtar të lartë apo ministër. Korrupsioni është ulur këmbëkryq në qeverinë tuaj, vendime të tilla janë produkt aferash korruptive. Unë dhe populli nuk besojmë tek ju se ju e keni kapur drejtësinë dhe gjithcka në këtë vend. Organi i akuzës duhet të drejtohet nga politika dhe bizneset e lidhura me politikën.

Vetëm vitin e kaluar kemi çuar disa denoncime në SPAK, por cfarë ndodhi? 300 milionë euro i dhatë Nue Kolës Milot-Balldren dhe tani po i thoni çoje në Arbitrazh fito 50 mln euro, po bëni skemën e “Bexhetit” po ia jepni italianëve. Shefqet Kastrati i keni dhënë 500 mln euro tendera sot, Rrugën e Kombit, Porto Romanon, tashmë do të blejë edhe Aeroportin e Rinasit.

Pyetja është? Një biznesmen që ka një aeroport, ka një port, ka vendosur edhe një drejtor doganash, a është e kërcënuar siguria kombëtare, kur ortaku i Lonit të Bankersit që vjedh pasuritë kombëtare drejton shtetin dhe disa ministra prej jush, sjell në këtë parlament disa deputetë me paratë e tij, financon qeverinë, opozitën, shumë nga këtu e kanë mbyllur gojën nga Kastrati, dikujt i ka dhënë shtëpi, dikujt të ardhura, dikujt para nën dorë, përse nuk çoheni të flisni për njeriun që po vjedh shqiptarët kudo në këtë botë.

Shqipëria është e kapur nga 5 oligarkë, Samir Mane, Shefqet Kastrati, Vilma Nushi, Nue Kola, edhe ky shoku kryeministër që ka vëllanë me Gaz Demin ortak aty. Shqiptarët nuk po durojnë më, të dashur kolegë, kështu që ju lutem kini kujdes në ligjet që votoni dh e njerëzit që  çoni anëtarë në Kushtetuese se janë njerëzit që paguhen nga oligarkët e Shqipërisë” deklaroi Valteri./ db/Abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!