Shpërthejnë polemikat për djalin e Salvinit

schedule14:10 - 31 Korrik, 2019

schedule 14:10 - 31 Korrik, 2019

Në Itali ndizen polemikat pas publikimit të një video ku djali i ministrit të Brendshëm Salvini është në një motor uji që i përket forcave të policisë. Zv/Kryeministri italian ka reaguar se gabimi ishte i tij si baba dhe se askush nuk duhej të fajësonte policinë.

Polemika në Itali pas videos së publikuar nga “La Republica”, ku tregohet djali i ministrit të Brendshëm, Matteo Salvini, i cili ndodhet në bordin e një motori uji të forcave të policisë së bashku me një agjent, teksa bën një xhiro në det.

Zv/Kryeministri italian ka reaguar menjëherë duke thënë se ishte një gabim i tij si prind, ndërsa hetuesit në Ravena kanë nisur hetimet për sa i përket përdorimit të papërshtatshëm të mjetit.

Ndërsa Partia Demokratike në opozitë e ka cilësuar veprimin si të papranueshëm, duke shtuar se mjetet e policisë shërbejnë për të garantuar sigurinë dhe jo për të zbavitur familjen e Salvinit. Ndërsa të tjerë anëtarë të Partisë Demokratike akuzojnë Salvinin se i përdor forcat e rendit si lodra.

Ndërsa ministri i Drejtësisë Alfonso Bonafede u shpreh se nuk besonte se italianët do të rrinin pa gjumë për të zbuluar nëse djali i Salvinit kishte bërë ose jo një xhiro me motorin e ujit të policisë. Sipas tij agjentët e policisë ishin vendosur në një situatë të vështirë dhe ndërkohë hetuesit po bëjnë detyrën e tyre./ABC News Albania 24/7