Deputeti i PS shpërndau leje legalizimi dhe i reklamoi në rrjet, e pëson kreu i Kadastrës

schedule09:36 - 8 Janar, 2021

schedule 09:36 - 8 Janar, 2021

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë dy denoncimet e para në lidhje me aktivitetet e ndaluara në periudhën parazgjedhore. Në denoncimet e mbërritura pranë KQZ, thuhet se deputeti socialist Bujar Çela ka ndarë në rrjetin social Facebook, foto duke shpërndarë leje legalizimi, teksa na ndajnë më pak se 4 muaj nga zgjedhjet e 25 Prillit.

Në njoftimin e shpërndarë për media, KQZ njofton se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të hënën e 11 Janarit do të zhvillojë seancë dëgjimore me kreun e Kadastrës Arben Qalliu i cili do duhet të paraqitet për të dhënë shpjegimet e tij si përfunduan lejet e legalizimit në dorë të deputetit.

“Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, janë raportuar dy denoncime në ndërfaqen e “Aktiviteteve të Ndaluara”, në rubrikën “Kallëzo”,  për veprimtaritë e deputetit të PS, Qarku Fier, z. Bujar Çela, i cili ka publikuar në llogarinë e tij personale në Facebook disa foto me qytetarë të ndryshëm duke shpërndarë leje legalizimi të shtëpive të tyre në Njësinë Administrative Hyzgjokaj.

Bazuar në denoncimet e raportuara, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, ditën e hënë, më datë 11.01.2021, ora 12:00, zhvillon seancën dëgjimore për shkelje të parashikuara në vendimin nr. 9, datë 24.12.2020 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, meZ. Arben Qalliu, Drejtor i Drejtorisë Vendore i A.SH.K Lushnjë.

Bazuar në nenin 47 dhe 87 të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative”, z. Qalliu ka të drejtën të paraqitet vetë ose me mbrojtës ligjor për të dhënë shpjegimet e tij, ditën e hënë, më datë 11.01.2021, në adresë Rr.Ibrahim Rugova, nr.4, Tiranë”, njofton KQZ.

Më 28 Dhjetor të vitit të kaluar, Çela ndau foto duke shpërndarë leje legalizimi në disa familje në njësinë administrative Hyzgjokaj “Keto dite te fund vitit po i shfrytezojme ne maksimum per te sjelle sado pak gezim ne keto familje punetore, qe nje pjese te konsiderueshme te kursimeve te tyre i kane hedhur ne keto banesa. Sot isha ne Njesine Administrative Hyzgjokaj ku preka nga afer punen e tyre te materializuar ne kapital. Puna vazhdon .Pune -Vizion -Durim”, shkruante Çela krah fotove.

Anëtari i Komisionit Rregullator në KQZ, Muharrem Çakaj denoncoi gjatë mbledhjes së 30 Dhjetorit shkeljen Aktit Normativ për veprimtaritë e ndaluara para zgjedhjeve. Sipas tij, deputeti i PS-së Bujar Çela e ka shkelur këtë akt duke shpërndarë leje legalizimi, gjë e cila sipas tij është tërësisht e ndaluar.

Ndërkohë, në fjalën e tij, kreu i Komisionit Rregullator u shpreh se një veprim i tillë është i ndaluar dhe aspak moral./mv.abcnews.al