“Shpërndarja e të ardhurave, e pabalancuar”, Meta: Rritja e çmimeve ka rënduar pensionistët

schedule13:55 - 30 Janar, 2024

schedule 13:55 - 30 Janar, 2024

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një konferencë për mediat, theksoi se duhen ndërmarrë politika shtesë ndaj pensionistëve, kategori që sipas të cilit, është prekur shumë nga rritja e çmimeve. Ai thotë se shumica e tyre marrin pensione më të ulëta se kufiri i varfërisë së përcaktuar nga Banka Botërore.

“Pensionistët shqiptarë, në shumicën dërrmuese marrin pensione shumë më të ulëta se kufiri i varfërisë i përcaktuar nga Banka Botërore me 6.85 dollarë në ditë. Për një pensionist në qytet masa e pensionit të pleqërisë është 6.4 dollarë në ditë ndërsa në zonat rurale vetëm 3.8 dollarë. Përveç nivelit të ulët të pensionit, faktori i dytë i rritjes së varfërisë është rritja e lartë e çmimeve, sidomos ushqimeve. Niveli i çmimeve 2021, 2022 dhe 2023 ka hyrë në një spirale rritëse.

Çmimet e disa produkteve kanë arritur nivelet më të larta se mesatarja. Me këto nivele të larta të çmimeve, një pensionist në qytet i cili shpenzon mesatarisht 59 përqind të të gjithë pensionit vetëm për ushqim, ose 364 lekë në ditë, ai mund të blejë vetëm një kafe 65 lekë, një gotë qumësht 43 lekë, 100 gramë djathë 80 lekë. Qeveria është përgjegjëse e plotë për këtë situatë të rëndë në të cilat ndodhen shtresat e pensionistëve.

Duhet të heqë dorë nga politikat përjashtuese, të cilat rritjen ekonomike e përdorin vetëm në interesin e oligarkëve dhe duhet të mbrojë këtë shtresë kaq të rëndësishme të shoqërisë tonë si shtresa më në nevojë. Duhet bërë indeksimi i vazhdueshëm i pensioneve për shkak të rritjes së çmimeve, rritja me përparësi e pensioneve të ulëta krahasuar me ato të larta, kryerja e reformës së pensioneve, ulja e informalitetit duke rritur numrin e kontribuesve që do të mundësonte rritjen e fondeve për të financuar rritjen e pensioneve”, u shpreh Meta. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!