Ka nisur shpërndarja e kartave për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 11 dhejtor, datë e propozuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Në këto karta janë përdorur edhe simbolikat e PD. Kjo ka sjellë reagimin e Partisë Demokratike, nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm të saj, Gamzent Bardhi. Ky i fundit i ka cilësuar si ilegale kartat e shpërndara me të dhënat e atyre që kanë kërkuar mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor.
Nëpërmjet një emaili, Bardhi sqaron se logo e PD, përdoret vetëm me lejen e bazës, kësisoj sipas tij, duke qenë se nuk është autorizuar nga asnjë organ përfaqësues i PD, ato cilësohen si të paligjshme. Në një tjetër reagim të mëpasshëm, PD sqaron se emaili i Bardhit nuk ka të bëjë me leximin e emrave, por me faktin që po shpërndahen bexha për datën 11 me logon e PD dhe Kuvendit Kombëtar, sipas saj ndaj kujtdo që mendohet se është delegat. Sipas PD duke qenë se nuk lejohet përdorimi i simboleve të partisë pa autorizim, si dhe “në vijim të ankesave të anëtarëve të Kuvendit për përdorimin pa leje të tyre të të dhënave nga persona të paidentifikuar, sqaron që dokumentet janë të fallsifikuara”.
“Në media është publikuar një email i Sekretarit të Përgjithshëm z. Bardhi drejtuar Degëve të Partisë. Duam të sqarojmë se email nuk ka të bëjë me leximin e emrave, por me faktin që po shpërndahen bexha për 11-tën me logon e PD dhe Kuvendit Kombetar kujtdo që mendohet se është delegat. Duke qenë se nuk lejohet përdorimi i simboleve të partisë pa autorizim, si dhe në vijim të ankesave të anëtatëve të Kuvendit për përdorimin pa leje të tyre të të dhënave nga persona të paidentifikuar, është sqaruar që dokumentet janë të fallsifikuara, të paautorizuara nga asnjë organ i PD. Për këtë shkak është dërguar kërkesa në degë për mbledhjen e informacionit për personat që e kryejnë këtë proces të paligjshëm”, thuhet në reagimin e PD.
“Organizatorët” e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor, janë duke shpërndarë karta, në të cilat janë të shkruar të dhënat e tyre personale, si dhe janë përdorur simbolikat e partisë.
Emaili i Gazment Bardhit: “Në vijim të shqetësimit të shprehur nga disa anëtarë të Kuvendit Kombëtar të PDSH për përdorimin pa të drejtë të të dhënave të tyre, në një dokument që përmban simbolet e Partisë Demokratike të Shqipërisë, kam konstatuar se: Është e vërtetë që në media dhe në rrjetet sociale janë publikuar disa dokumente me simbole të Partisë Demokratike dhe të dhënat e anëtarëve të Partisë Demokratike dhe/ose anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PDSH. Këto dokumente dhe përdorimi i të dhënave të anëtarëve nuk është autorizuar nga asnjë organ përfaqësues i Partisë Demokratike të Shqipërisë, dhe për pasojë ato janë dokumente të paligjshme dhe të falsifikuara, të prodhura nga persona të paidentifikuar dhe që nuk përfaqësojnë asnjë organ të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ky veprim synon të dëmtojë interesin politik të Partisë Demokratike, duke e shfaqur atë në sytë e opinionit publik si një celulë ilegale, ku cilido për intersin e tij personal mund të përdor simbolet e PD apo të dhënat e anëtarëve të PD. Në përputhje me nenin 6 të Statutit të PD, ku theksohet se simbolet e Partisë Demokratike përdoren vetëm nga organet përfaqësuese të PDSH-së ose me autorizim të tyre, kërkoj përcjelljen e informacionit të plotë dhe të dokumentuar mbi personat që në Degët respektive administrojnë, shpërndajnë apo prodhojnë dokumente të tilla të paligjshme dhe të falsifikuara, duke keqpërdorur të dhënat e anëtarëve të PDSH“.
Ndarja e rrugëve të Berishës dhe Bashës erdhi pasi ky i fundit e përjashtoi nga grupi i PD me kërkesë të SHBA e cila e shpalli non grata ish kryeministrin. Pas vendimit të Bashës, Berisha iu rikthye aktivitetit të tij politik, duke nisur takimet në terren përmes “Foltores”. Deri në 10 nëntor pretendonin se kishin mbledhur 4200 firma delegatësh për të mbledhur Kuvendin kundër Bashës në 11 dhjetor. Kryetari i PD iu përgjigj me një datë tjetër për mbledhjen e Kuvendit në 18 tetor. Një ftesë kreu i PD e ka bërë për të gjithë ata që kanë firmosur për datën e propozuar nga ish-krryeministri Sali Berisha për të zhvilluar Kuvendin. Basha thotë se ata kanë mundësinë të jenë në Kuvendin e 18 dhjetorit dhe të shprehin lirisht mendimet dhe qëndrimet e tyre. be.k/abcnews.al