Shpërblimi për titullin kampion bote, Calja e Federata “luftë” deklaratash

schedule16:09 - 11 Korrik, 2022

schedule 16:09 - 11 Korrik, 2022

Të gjithë i gëzohen medaljeve të fituara nga sportistët, por ku vjen çështja në dhënien e detyrimeve të parave sipas rregullit dhe ligjit, situata komplikohet. Briken Calja ka reaguar ashpër në rrjetet sociale duke treguar sesi qëndron e vërteta. Ai shprehet se nuk ka asgjë me Qeverinë dhe Ministrinë, por Federata e Peshëngritjes nuk i ka kaluar ende shpërblimin në llogari.

“Sqarim për opinionin publik në lidhje me situatën e krijuar. Së pari, postimi i i bërë dje në profilin tim nuk ka lidhje me shpërblimet financiare të medaljeve të fundit. Për çdo postim në profilin tim mbaj përgjegjësi morale prandaj është udhës të sqaroj konkretisht disa situata dhe mos t’i lihet vend keqintepretimeve.

Së dyti, meqë kartat për temën e shpërblimeve u hapën mbi tryezë doja të sqaroja dhe të vija pikat mbi “i” për disa gjëra.

Në lidhje me qeverinë dhe Ministrinë konkretisht i jam vertët mirënjohes për Ligjin e ndryshuar të Sportit dhe për procedurat korrekte në lidhje me shpërblimet e sportistave për medaljet e fituara. Ministria e ka bërë punën e vetë për këtë temë dhe korrektësia e treguar nga ana e saj meriton veç se duartrokitje.

Në lidhje me Federatën e Peshëngritjes, doja thjesht të shprehja keqardhje për gënjeshtrat dhe hipokrizitë e vazhdueshme në lidhje me këtë temë.

Nëse në llogarinë e Brikenit ka ardhur shpërblimi i plotë i medaljeve siç Federata pretendon kjo është lehtësisht e verifikueshme.

Në llogarinë e Brikenit ka kaluar vetëm urdhri i parë i Ministrisë, siç dhe unë kam rënë personalisht dakord për ndarjen e shpërblimit në pjesë. Çdo transaksion bankar është lehtësisht i verifikueshëm në sistemet bankare dhe në Thesarin e shtetit, kështu që ti lëmë mënjane hipokrizitë dhe gënjeshtrat por ti japim drejtim punës siç duhet.

Mbaj përgjegjësi morale e ndoshta edhe më tepër për fjalitë e fundit në lidhje me Federatën e Peshëngritjes dhe procedurat e shpërblimit financiar! Doja thjesht t’ju falenderoja për përkrahjen dhe shihemi së shpejti në garat e ardhshme. Brikeni”, shkruan Calja.

Ndërsa për këtë çështje nuk ka vonuar edhe reagimi i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, që nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, FSHP deklaron se të gjithë sportistët janë shpërblyer dhe se Briken Caljes i mungojnë vetëm 10 milionë lekë të vjetra.

“Sqarim pwr opinionin publik. Duke u nisur nga mediat, FSHP ju bën me dije se të gjithë sportistët, duke nisur nga Evangjeli Veli, Erkand Qerimaj, Briken Calja, Samuel Bishanaku dhe Krenar Shoraj janë shpërblyer nga Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Arsimit dhe e Sportit si asnjëherë tjetër me rreth 400 milionë lekë të vjetra.

Mund të themi se jemi i vetmi vend në botë që me vendim të qeverisë çdo medalje shpërblehet dhe federata ka shpërndarë shpërblimet, konform ligjit nr.9936, datë 26.06.2008.

Është e vërtetë që sportisti Briken Calja, shpërblimin e ka marrë javën e kaluar prej 178 milionë lekë të vjetra.

Pas dorëzimit të aktit noterial, diferenca prej 10 milionë lekë të vjetra do t’i kalojë sportistit Briken Calja ditën e nesërme dt. 12.07.2022.”, thuhej në postimin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!