Shpendi i pandalshëm, talenti i “Shpresave” realizon dopietën në transfertën e Carrarese

schedule10:16 - 6 Mars, 2024

schedule 10:16 - 6 Mars, 2024

Rezultati mund të ishte më i mirë, por sërish performanca e tij ishte “magjike”. “Ylli” i “Shpresave”, Cristian Shpendi po shkëlqen këtë sezon, në Grupin B, të Serie C, teksa mbrëmjen e së martës ka arritur të gjejë sërish rrugën e rrjetës, për skuadrën e tij, Cesena, kësaj radhe jo një, por dy herë, duke konfirmuar edhe njëherë momentin e mrekullueshëm, që po kalon.

“Bomberi” nga Puka ishte protagonist absolut, pavarësisht se në një disfatë, me skuadrën e tij, që u mund me rezultatin e ngushtë, 3 me 2, nga skuadra e Carrarese, kjo për shkak edhe të numrit të lojtarëve në fushë, me “Bardhezinjtë” e Shpendit, që mbetën me 10 lojtarë, pas daljes së Ogunseye, me kartonin e kuq, në minutën e 50’-të të sfidës.

Megjithatë kjo nuk e ndali Shpendin, i cili, siç theksuam edhe pak më sipër, tundi dy herë rrjetën e kundërshtarëve, fillimisht në minutën e 19’-të e më tej në minutën e 90’-të të ndeshjes, duke u ngjitur kështu në kuotën e 19 golave sezonal, në kampionat, teksa udhëheq, me 3 gola epërsi, listën e golashënuesve të këtij kampionati.

Golat e tij e kanë ngjitur skuadrën e Cesena në kuotën e 72 pikëve dhe pavarësisht humbjes ka krijuar një shkëputje prej 12 pikësh, me vendin e 2-të, të kampionatit, Torres, duke u afruar edhe më shumë me ngjitjen, në Serie B dhe tashmë me afrimin e merkatos së verës, Shpendi duket se është gati për “hapin e madh”, në karrierë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!