Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Malin e Zi këtë të hënë ka shpallur dhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 30 gushtit.
Sipas rezultatit rezulton se Partia Demokratike e Socialistëve, e presidentit Millo Gjukanoviç, ka fituar 30 vende në përbërjen e re të parlamentit, koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, 27 deputetë, koalicioni, “Paqja është kombi ynë”- 10 dhe koalicioni “E zeza në të bardhë” katër vende.
Mediat vendase raportojnë se Partia Boshnjake dhe Social-Demokratët fituan nga tri vende secila, Partia Socialdemokrate dy, dhe nga një vend në parlament e kanë fituar: Lista Shqiptare “Nik Gjeloshaj-Genci Nimanbegu” dhe koalicioni “Bashkë një za”.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, brenda 15 ditëve, kryetari i përbërjes së vjetër të parlamentit, Ivan Brajoviç, thërret seancën e parë të përbërjes së re të Parlamentit të Malit të Zi.
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, propozon emrin e kryeministrit të ri në afat prej 30 ditësh që nga konstituimi i parlamentit.
Në zgjedhjet e 30 gushtit për herë të parë pas tri dekadash, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviç ka humbur shumicën në parlament. Zgjedhjet u fituan nga partitë opozitare që konsiderohen si pro-serbe dhe pro-ruse.
Ndërkohë liderët e tri subjekteve politike të koalicionit opozitar, të cilat e kanë fituar shumicën në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, në një konferencë për media më 9 shtator kanë prezantuar parimet mbi të cilat do të mbështetet qeveria e ardhshme dhe të cilat nënkuptojnë bashkëpunimin me aleancën e NATO-s, mosvënien në diskutim të njohjes së Kosovës dhe që përjashtojnë mundësinë e ndryshimit të simboleve shtetërore të Malit të Zi.e.su./abcnews.al