Legjenda e Milanit, Ruud Gullit, ka komentuar kundërshtarin e radhës së kuqezinjve në Europa League. Manchester United është ekipi që “Djalli” peshkoi në gogla, por holandezi beson se ata do ta kalojnë turin. Në fund ai sqaron edhe deklaratën e tij për Ibrahimovic, pas polemikave se ai tha për suedezin se është shumë i vjetër për Milanin.
“Djajtë e Kuq” janë një skuadër e fortë, por kanë disa probleme. Solskjaer është gjithmonë nën presion. Krahasoni një foto të tij të kohëve të fundit me një kur sapo mori drejtimin e United. Duket sikur kanë kaluar 10 vite. Të drejtosh ekipin pas epokës së Sir Alex Ferguson është e komplikuar”, deklaron holandezi.
“Milan? Dëmtimet kanë ndikuar në humbjet e fundit, por jam i lumtur që i shikoj përsëri në atë pozicion të renditjes. Juventus mbetet ende favorit për titullin, edhe pse Inter po kryeson. Më pëlqen edhe Lazio, pasi kanë një ekip të fortë.
Ibra? Le ta bëjmë të qartë se unë kurrë nuk kam thënë se Zlatan është i vjetër. Thjesht nuk mendoja se ai mund të kthehej në formën e tij më të mirë pas atij dëmtimi. Ai është ende një lojtar i mrekullueshëm. Mentaliteti i tij e përmirëson ekipin”, përfundon Gullit. /abcnews.al