Ditën e sotme u zhvillua shorti i çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Laçit fati i vuri përballë Partizanin, një kundërshtar shumë të fortë, me të cilin përballet të shtunën për javën e 21-të të Superiores.
Para kësaj sfide për gazetarin e abcnews.al, Denis Lala, dha një prononcim të shkurtër trajneri i kurbinasve, Shpëtim Duro. Tekniku e cilëson si një përballje të fortë ndeshjen me të kuqtë dhe nuk e cilëson si favor faktin se ndeshja luhet në Laç.
“Patjetër që Partizani është rival i fortë. Por për momentin ne jemi të përqendruar te ndeshja në kampionat momentalisht sepse kemi ende kohë për të menduar për përballjen me ta në Kupë.
Shorti është fat, nuk ka preferenca. Ndeshja me një ekip të fortë ka avantazhin se nëse e eliminon, largon një kundërshtar. Kështu që do të vinte momenti, që nëse s’do binte në çerekfinale, do përballeshim në raundin tjetër.
Nuk kisha ndonjë preferencë, madje nuk e dija tamam kur hidhej shorti dhe më thanë pas stërvitjes së sotme. Do zhvillohet me një takim për situatën e pandemisë, është më se normale sepse nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë kompeticione europiane.
Është normale që ky aktivitet të jetë i reduktuar për numrin e ndeshjeve dhe kohës, duke parë edhe kushtet që po zhvillohet ky sezon. Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë me Partizanin në ndeshjen e parë në kampionat.
Terreni i fushës është shumë i mirë, diçka pozitive për të dy ekipet, por nuk kemi ndonjë favor të madh sepse stadiumet janë pa tifozë, kështu që nuk shoh asnjë avantazh përveç terrenit të mirë, që avantazhon edhe Partizanin”, u shpreh Duro. /abcnews.al