Mesditën e kësaj të hëne, në Nyon të Zvicrës u hodh shorti përcaktues i raundit të 1/16-ve, të UEFA Champions League, ku fati i buzëqeshi jo pak, “Bavarezëve” të Bayern Munich, të cilët “peshkuan” një ekip, tejet të lehtë në letër, krahasuar me skuadrën e tyre, italianët e Lazio, mirëpo nëse gjermanët ishin me fat, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për “shqiponjat” e Romës.
Në lidhje, me shortin e hedhur, ditën e sotme, një koment të shkurtër e bëri edhe Drejtori i përgjithshëm i sektorit të të rinjve, njëkohësisht edhe djali i Presidentit Claudio Lotito, Enrico Lotito i cili i konsideroi kampionët në fuqi të Bundesliga-s, si një nga skuadrat më të këqija, që mund të kishin si kundërshtarë.
“Bayern Munich është një nga skuadrat më të këqija që mund të na binte. Gjermanët janë një kundërshtar shumë i vështirë. Ata janë ekspertë të Champions. Gjithsesi, ne jemi këtu me meritë dhe do të luftojmë deri në fund për të thënë tonën. Shpresojmë të vijojmë të paraqitemi mirë”,- u shpreh italiani.
Ndërkaq, kujtojmë se skuadra e teknikut Maurizio Sarri do të ndeshet me “Bavarezët” e Bayern Munich fillimisht mbrëmjen e 13 shkurit, në “Stadio Olimpico” të Romës e më pas do të udhëtojë drejt Bavarisë, aty ku do ndeshet me kampionët në fuqi të Bundesliga, mbrëmjen e 5 marsit, në “Allianz Arena”. /i.m /abcnews.al