Nga Erisa Zykaj
Komisioni Europian ka reaguar duke dënuar shoqërimin e gazetarëve në komisariat nga policia pas protestave të zhvilluara në Tiranë pas vrasjes së të riut Klodian Rasha në datë 8 Dhjetor. Zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero-Hernandez i kujton Shqipërisë paketën e zgjerimit.
“Paketa e zgjerimit 2020 tregon qartë nevojën për zero tolerancë për kërcënimet dhe intimidimet ndaj gazetarëve dhe mediave në rajon. Eshtë thelbësore që gazetarët në Shqipëri të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre pa kërcënim dhe pa dhunë, ngacmim dhe frikësim, për të siguruar që qytetarët të kenë akses në të gjithë informacionin e nevojshëm” shkruan Ana Pisonero-Hernandez.
Në protestat e zhvilluara në Tiranë u shoqëruan dy gazetarë Xhoi Malësia dhe Qamil Xhani, ndërsa disa orë më pas u lanë të lirë./ db/Abcnews.al