Shoqata e Transportit Ndërqytetas kanë paraqitur katër kërkesa shtesë, përpos atyre të deklaruara nga kryeministri Edi Rama, rreth 6 ditë para rikthimit të tyre në punë.
Ata thonë se nesër do të protestojnë para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë duke paraqitur katër kërkesa, mes tyre heqjen e akcizës, zbritjen e TVSH nga 20%-0% për vitin 2020, rimbursim të kapacitetit të munguar si pasojë e masave kufizuese, dhe kategorive të cilat përfitojnë transport falas.
“Në vijim të 2 kërkesave të premtuara nga Kryeministri, për të bërë të mundur rifillimin e shërbimit të transportit publik në 15 Qershor, duhet patjetër të plotësohen dhe kërkesat si më poshtë:
1. Heqja e akcizës dhe taksave për karburantin si sektori i peshkimit
2. Zbritja e TVSH-së në shitje nga 20%-0% për vitin 2020 dhe rikthimin në nivelin 6% si sektori i hoteleri turizmit
3. Rimbursimi i kapacitetit të munguar si pasojë e masave kufizuese
4. Rimbursimi në burim i kategorive të cilat përfitojnë transport falas
Nesër, ditën e Mërkurë, datë 10.06.2020, ora 10:00, përpara Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë , do të kërkojmë miratimin e kërkesave tona zyrtare , për të mundësuar rifillimin e shërbimit!”, thuhet në deklaratën e tyre.
Kreministri Edi Rama deklaroi dje se brenda vitit 2020 do të kryhet reforma e plotë ligjore/fiskale e sektorit dhe në 1 janar 2021 do të nisë zbatimi i saj me biletën elektronike si hap i parë.
Ai premtoi edhe zerimin e taksave dhe po ashtu tarifave vendore deri më 31 dhjetor 2020./abcnews.al