Shoqata e Festivaleve Evropiane vlerëson vullnetarët e Travel Fest Albania

schedule11:29 - 2 Dhjetor, 2022

schedule 11:29 - 2 Dhjetor, 2022

Shoqata e Festivaleve Evropiane (EFA), ka përzgjedhur historitë e vullnetarëve të festivalit ndërkombëtar të filmit Travel Fest Albania, si histori frymëzuese për vitin 2022, i shpallur Viti Evropian i Rinisë. Në nëntor të këtij viti, Travel Fest Albania u vlerësua gjithashtu me certifikatën EFFE, duke u renditur ndër festivalet më të mira në Evropë, që tregojnë angazhimin e tyre në fushën e artit, përfshirjen e komunitetit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

EFA boton një artikull, ku vlerëson gatishmërinë dhe përfshirjen e këtyre të rinjve, të cilët sakrifikuan kohën dhe energjitë për të qenë pjesë e rëndësishme e aktivitetit. Travel Fest Albania përmbylli me sukses edicionin e parë në Tiranë, ku 128 filma nga 42 vende u shfaqën në 4 kinema gjatë një jave dhe u ndanë 22 çmime për fituesit. Rreth 30 krijues të ftuar që nga Australia e largët, Evropa dhe vendet fqinje, u strehuan në Tiranë për të ndjekur festivalin dhe më pas shijuan një udhëtim 3-ditor në Rivierën Shqiptare.

Nuk do të ishte i mundur suksesi i një aktiviteti me përmasa kaq të mëdha, pa ndihmën e jashtëzakonshme të të rinjve vullnetarë. Thirrja për regjistrimin e vullnetarëve u hap 2 muaj para festivalit dhe uniformën e tyre e veshën rreth 20 të rinj. Ata punuan pa u lodhur për ta bërë festivalin të suksesshëm.

Oli, vazhdonte punën në turnin e tretë gjatë natës, deri në 5 të mëngjesit dhe në orën 8:30 ishte gati të shoqëronte autorët e ftuar në kinema. Ajo është përkthyese, pjesë e ESN Tirana, ish studente e Erasmus dhe ka studiuar për zhvillim softuerësh në Universitetin Europian të Tiranës.

Klea, e cila ndërkohë po jepte provimin kryesor për masterin, gjeti kohë të merrej me koordinimin e shfaqjeve të mbrëmjes në kinematë e jashtme.

Jonas është themelues i Tech Point, një ambasador për dizajnerët grafik të turizmit të gjeneratës së ardhshme, gjithashtu dizajner në internet, anëtar i Parlamentit Rinor Evropian në Shqipëri dhe gjithashtu një anëtar redaktues me përvojë i YATA dhe vullnetar në trupat e solidaritetit të BE-së si dhe në UNDP në Shqipëri.

Shembulli i këtyre të rinjve është frymëzues për shumë të tjerë dhe jemi të bindur që në edicionin e ardhshëm do të kemi histori të tjera po aq të bukura nga vullnetarët e Travel Fest Albania.

Oli, Jonas dhe Klea do të jenë pjesë e stafit të edicionit të ardhshëm. Oli do të jetë koordinatore e akomodimit, Jonas do të jetë ndihmës për shfaqjet e filmave dhe Klea koordinatorja e vullnetarëve.

/abcnews.al/