Shmangia e radhëve nga pandemia, numri i kartave bankare arrin rekord në tremujorin e dytë

schedule07:31 - 19 Gusht, 2020

schedule 07:31 - 19 Gusht, 2020

Numri i kartave bankare me funksion cash-i dhe pagese ka arritur në një nivel rekord në tremujorin e dytë të këtij viti, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Në vend, në fund të tremujorit të dytë kishte në qarkullim 1.26 milionë karta bankare.

Në krahasim me fundin e 2019-s, numri i kartave bankare është shtuar me 51 mijë, ose sa 65% e rritjes së gjithë vitit 2019, duke treguar për një ritëm të përshpejtuar të kërkesës për tu pajisur me produktin që mundëson tërheqjen e parave në çdo moment.

Rritja e kartave me ritme më të shpejta është e lidhur me situatën e krijuar pas pandemisë, ku fillimisht u krijuan radhë të gjata në banka, si rrjedhojë e kufizimit në orare dhe rregullave të reja për kufizimin e përhapjes së Covid-19. Vetë bankat rekomanduan sa më pak kontakt me kartmonedhat dhe shmangie të radhëve në banka, ndërsa ishin aktive në fushata për të nxitur përdorimin e tyre në blerje dhe tërheqje të parave.

Të dhënat tregojnë se rritja ka ardhur nga kartat me funksion debiti, që u shtuan me 48 mijë në gjysmën e parë të vitit. Në të kundërt, përdorimi i kartave të kreditit ka ardhur në ulje, duke u reduktuar me rreth 1,026 karta. Vetëm rreth 113 mijë karta krediti janë në qarkullim në vend, ose 9% e totalit.

Në fakt, kartat e debitit kanë përdorimin më të gjerë ë vend, duke zënë 85% të totalit të Kartave me funksion cash-i (1.07 mln karta në qarkullim deri në fund të qershorit).

Vitet e fundit po gjen përdorim dhe Karta me funksion paraje elektronike, duke arritur në rreth 70 mijë në fund të qershorit, pothuajse dyfishim në raport me 2015-n, gjithsesi ato zënë vetëm 5.6% të kartave gjthsej.

Të dhënat e mëparshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë bërë të ditur se Shqipëria ka përdorimin më të ulët të kartave bankare në raport me popullsinë, sidomos atyre të kreditit.

Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se Shqipëria kishte 44 karta krediti për 1,000 banorë në vitin 2018. Ndonëse ka ardhur në rritje në raport me vitet e mëparshme (treguesi ishte 28 në 2013-n), sërish kemi përdorimin më të ulët të tyre në Europë.

Të dhëna të tjera, po të FMN-së treguan se Shqipëria ka numrin më të ulët në Europë të ATM-ve (Automated Teller Machine), apo makinerive që ju lejojnë të tërhiqni paratë nëpërmjet një karte. Të matura për 100 mijë banorë, vendi ka 30 ATM, që është gati 6 herë më e ulët se në Austri, shteti që mban rekord në Europë./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!