Autoritetet në Holandë kanë shmangur një atentat terrorist duke arrestuar 7 persona. Policia vendase ka deklaruar se të dyshuarit po përgatisnin një masakër.
Policia në Holandë ka arrestuar 7 persona që sipas autoriteteve po planifikonin një sulm terrorist masiv, me armë zjarri dhe eksplozivë. Sipas autoriteteve vendase, të arrestuarit po përpiqeshin të siguronin Kallashnikovë, granata dore dhe materiale të tjera luftarake për të kryer sulmin. Disa prej këtyre personave, të moshave nga 21 në 34 vjeç, ishin përpjekur edhe të udhëtonin jashtë vendit për t’iu bashkuar grupeve militante në Siri dhe Irak. Prokurorët holandezë deklarojnë se kryetar i grupit është një 34-vjeçar me origjinë irakene, që ishte dënuar në vitin 2017 sepse kishte bërë përpjekje për t’iu bashkuar radhëve të Shtetit Islamik. Hetuesit kanë bërë gjithashtu me dije se ishin informuar për komplotin në muajin prill nga shërbimet sekrete, sipas të cilave të dyshuarit kishin vënë në shënjestër një event ku do të mblidheshin shumë njerëz. Ata u arrestuan në qytetin Arnhem dhe në komunën Vert nga njësitë e anti-terrorizmit, të ndihmuara nga Shërbimi i Operacioneve Speciale. Autoritetet kanë deklaruar se arrestimet e kryera reflektojnë rrezikun real për sulme terroriste në Holandë. Kërcënimi në këtë shtet është në nivelin 4 nga 5 që është maksimumi. Më herët gjatë muajit dy xhihadistë u qëlluan për vdekje pasi sulmuan me thikë dy shtetas amerikanë në Amsterdam. /abcnews.al