Shkurtaj larg Kukësit, një klauzolë e nxjerr lojtarë të lirë

schedule13:02 - 5 Qershor, 2022

schedule 13:02 - 5 Qershor, 2022

Vasil Shkurtaj nuk është më futbollist i Kukësit. Sulmuesi 30-vjeçar, i mbërritur te skuadra verilindore gjatë merkatos së dimrit për të bërë diferencën në fazën sulmuese, ka ndërprerë zyrtarisht marrëdhëniet me këtë ekip.

Në kontratën e nënshkruar mes palëve në fillim të vitit, Shkurtaj do të vijonte te Kukësi edhe pas përfundimit të kampionatit, nëse do të arrihej kualifikimi në Kupat e Europës, por kjo nuk ndodhi.

Për rrjedhojë, palët nuk janë më në marrëdhënie kontraktuale. Shkurtaj tashmë ka dalë lojtar i lirë dhe mund të zgjedhë një ekip të ri, në Superiore apo jashtë Shqipërisë.

Vasil Shkurtaj është aktivizuar në vetëm nëntë sfida të Superiore, për një total prej 376 minutash.

Ai u luajti në gjashtë ndeshje në muajt e parë të vitit, më pas mungoi për rreth dy muaj gjysmë për arsye dëmtimi, për t’u rikthyer në tri sfidat e fundit të kampionatit.

Fitimi i Kupës së Shqipërisë nga Vllaznia prishi planet e Shkurtajt për të qëndruar më gjatë te skuadra verilindore.