Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka pranuar kërkesën e administratës të presidentit amerikan, Donald Trump, për të pranuar shtetasit maqedonas që qëndrojnë ilegalisht në SHBA.
“Menjëherë pas ardhjes në pushtet të administratës Trump është dërguar një kërkesë për shtetasit maqedonas që qëndrojnë ilegalisht në territorin e SHBA-së, nëse konstatohet një status i tillë. Duke pasur parasysh se ata janë shtetas maqedonas, Qeveria ka pranuar kërkesën për pranimin e tyre në rast të dëbimit mbi këtë bazë”, u tha në përgjigjen e Qeverisë maqedonase dërguar Radios Evropa e Lirë.
Por, Qeveria maqedonase nuk ka konfirmuar se është në bisedime me SHBA-në për strehimin e përkohshëm të shtetasve të vendeve të treta.
“Si Qeveri, jemi në qëndrimin që veçse iu thamë dhe përgjigja i referohet informacioneve që kemi si institucione”.
Për dallim nga Maqedonia e Veriut, Kosova më 11 qershor, ka miratuar vendimin që të strehojë përkohësisht deri në 50 qytetarë nga vendet e treta, në kuadër të bashkëpunimit me SHBA-në.
Të enjten, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se SHBA-ja i është “mirënjohëse partnerit tonë, Kosovës, për pranimin e shtetasve të vendeve të treta të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara”.