Shkupi konfirmon se ka refuzuar kërkesën për fluturimin e Lavrovit në Serbi

schedule07:53 - 6 Qershor, 2022

schedule 07:53 - 6 Qershor, 2022

Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Maqedonia e Veriut ka refuzuar kërkesën e Ambasadës së Federatës Ruse për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të këtij shteti për fluturimin e avionit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili ka paralajmëruar se do të vizitojë Beogradin të hënën.

Kërkesa e Ambasadës Ruse është bërë pavarësisht se Maqedonia e Veriut më 28 shkurt ka vendosur sanksione ajrore ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.

Lavrov, së bashku me presidentin rus, Vladimir Putin, janë në listën e sanksioneve të shteteve të shumta perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës. Shtetet e vetme ku ata mund të udhëtojnë në Evropë janë Bjellorusia, Moldavia, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës, e cila ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, ka mbështetur edhe mbylljen e hapësirës ajrore të Kosovës për avionët rusë, por misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se hapësira ajrore e Kosovës do të mbetet e hapur.

Vizita e Lavrovit në Serbi është paralajmëruar për 6 dhe 7 qershor.

Mediat në Serbi kanë raportuar se edhe Mali i Zi dhe Bullgaria kanë ndaluar fluturimin e avionit të Lavrovit në hapësirën e tyre ajrore. Të dy këto shtete po ashtu i kanë vendosur sanksione Rusisë.

Siç ka thënë përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, më 3 qershor, është planifikuar që Lavrov të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shefin e diplomacisë serbe, Nikola Selakoviq dhe kryetarin e Kuvendit, Ivica Daçiq. Po ashtu ajo ka thënë se Lavrov pritet të takohet edhe me patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.

Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 qershor deklaroi se situata rreth vizitës së paralajmëruar të ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, në Beograd po komplikohet.

Vuçiq, gjatë qëndrimit në Bratisllavë, i tha Televizionit Pink se nuk ishte i gatshëm të jepte më shumë detaje.

“Po komplikohet, padyshim që po komplikohet. Nuk jam gati të flas ende për këtë, por po – po komplikohet. Çështja është se si do të vijë… do të shohim”, shtoi Vuçiq.

Mediat në Serbi po ashtu raportuan se kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, tha të dielën se situata në lidhje me vizitën e Lavrovit në Beograd është “jashtëzakonisht e komplikuar” dhe se Vuçiq po merrej me logjistikën rreth udhëtimit të kryediplomatit rus.

Njoftimi për vizitën e Lavrovit ende nuk është paralajmëruar zyrtarisht në Serbi, ndërsa në faqen e internetit të presidentit të Serbisë thuhet se Aleksandar Vuçiq do të jetë në Maqedoninë e Veriut nga data 7 deri më 8 qershor, ku do të marrë pjesë në takimin e nismës rajonale “Ballkani i Hapur”.

Megjithatë, Lavrov ka thënë më 4 qershor se gjatë vizitës së tij në Beograd, ai do të diskutojë “të gjitha temat me interes për miqtë serbë” me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Republikë Sërpska më 4 qershor, Lavrov po ashtu foli edhe për Kosovën, duke thënë se qëndrimi i Rusisë për të dihet, por se është i interesuar të dëgjojë vlerësimet e presidentit të Serbisë dhe politikanëve të tjerë serbë për “situatën”.

Sigurisht, është shumë e rëndësishme që të kuptojmë vlerësimet e udhëheqjes serbe dhe planet e saj të veprimit për periudhën e ardhshme, duke filluar nga marrëdhëniet e sotme në botë”, tha Lavrov.

I pyetur për deklaratën e presidentit rus, Vladimir Putin, në të cilën ai më 26 prill e krahasoi Kosovën me dy rajone separatiste në Ukrainë dhe për reagimin e presidentit të Serbisë, Lavrov tha se është një “keqkuptim i madh”.

“Ai [presidenti i Rusisë, Vladimir Putin] e tha këtë vetëm për të treguar hipokrizinë absolute dhe standardet e dyfishta të Perëndimit për Kosovën dhe se do të mbështesë vendimin që do të jetë i pranueshëm për popullin serb”, tha Lavrov.

Rusia, ashtu si Serbia, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Më 6 maj, Vuçiq tha se situata në Serbi kishte “ndryshuar për të keq” pas deklaratave të presidentit të Rusisë dhe se “i gjithë Perëndimi do t’i kërkonte Serbisë që të lëvizte shpejt drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që t’i tregonin Putinit se kjo ishte jo e njëjta gjë dhe se Kosova nuk i ngjanë asaj që po ndodh në territorin e Ukrainës”.

Serbia refuzon të vendosë sanksione kundër Rusisë, por ka mbështetur disa rezoluta të OKB-së që dënojnë agresionin e Rusisë.

Serbia dhe Rusia tradicionalisht mbajnë marrëdhënie të ngushta dypalëshe, të forcuara nga varësia e Serbisë nga gazi rus. /REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!