Prokuroria Publike në Maqedoninë e Veriut po heton pretendimet për keqpërdorime në Klinikën e Onkologjisë në Shkup, që kanë të bëjnë me vjedhjen dhe shitjen e terapive të personave të sëmurë me kancer.
Hetimet kanë nisur bazuar në shkrimet e javores maqedonase “Fokus” në muajin maj, e cila raportoi për mungesë të terapisë imune të citostatikëve, nga të cilat varet jeta e të sëmurëve me kancer.
Autoritetet, me urdhër të organeve të ndjekjes penale, kanë bastisur hapësirat e klinikës, me ç’rast kanë konfiskuar kompjuterë, të dhënat kompjuterike dhe material tjetër për ekspertizë të mëtejmë.
“Prokuroria Themelore Publike e Shkupit dhe Ministria e Punëve të Brendshme vazhdojnë me procedurën parahetimore, të iniciuar në bazë të pretendimeve në tekstet e një gazete javore lidhur me punën e Klinikës së Onkologjisë. Kontrollet bëhen me qëllim të sigurimit të provave për ekzaminimin e shenjave të mundshme të veprës penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike.
Sipas javores “Fokus”, “në disa raste punonjësit e klinikës janë kapur duke vjedhur terapinë e nevojshme dhe të shtrenjtë, të cilën më pas e kanë shitur në tregun e zi, sipas një skeme të hartuar me përfshirjen e më shumë të punësuarve në klinikë”.
“Borxhet e Klinikës së Onkologjisë në tre vitet e fundit kanë arritur deri në 20 milionë euro për shkak të ndarjes së terapisë pa plan paraprak”, thuhet në shkrimin e gazetës.
Sipas të dhënave të shoqatës, “Hema”, në Maqedoninë e Veriut, nga 2012-2021, në baza vjetore me kancer diagnostikohen rreth 7.000 persona, gjysma prej të cilëve e humbin jetën.
Terapia për trajtimin e një të sëmuri me kancer arrin deri në 6.000 euro, varësisht prej gjendjes shëndetësore të pacientit dhe ajo kryesisht mbulohet nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor.
Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski, tha të dielën se njoftimet për abuzime me terapinë e të sëmurëve me kancer, janë “të tmerrshme”.
“Përgjegjësia në skandalin e Onkologjisë ka emër dhe mbiemër. Qeveria nuk do të ndërhyjë në hetim. Çdokush që është i përfshirë në krim do të përgjigjet, por jo i gjithë stafi mjekësor të etiketohet me këtë rast”, ka deklaruar Kovaçevski.
Oda e Mjekëve ka shprehur, gjithashtu, shqetësim për akuzat për keqpërdorim të terapisë nga pacientët, dhe i ka mbështetur institucionet në zbardhjen e rastit.
Partitë opozitare kanë akuzuar Qeverinë për përfshirjen e saj në këtë rast, duke mos mbajtur premtimin për “kujdes shëndetësor të avancuar për të qytetarët”.
“Në vend kësaj, Qeveria përmes njerëzve të saj po vjedh pacientët. Ajo në vend se të kujdeset për shëndetin e tyre, po bën të kundërtën duke ua shkurtuar jetën”, thuhet në reagimin e VMRO DPMNE-së.
Partia opozitare shqiptare Besa ka kërkuar “arrestimin e të dyshuarve për përfshirje në krim”.
Në rrjetet sociale po shpërndahen ato që thuhet se janë dëshmitë e qytetarëve për mostrajtimin e të afërmeve të tyre çka, sipas tyre, ka çuar edhe ne vdekje.
Për të hënën, më 4 shtator, janë paralajmëruar protesta para Qeverisë./REL