Qeveria e Maqedonisë ka vendosur të hënën të dërgojë në Kuvend ndryshimet kushtetuese që rrjedhin nga marrëveshja me Greqinë. Me qëllim miratimin e tyre, ambasadorët e Perëndimit të akredituar në Shkup kanë mbajtur kontakte me klasën politike maqedonase.
Qeveria e Maqedonisë në një seancë të jashtëzakonshme mori vendim që ta dërgojë në Kuvend propozimin për fillimin e ndrshimeve kushtetuese. Zëdhënësi I qeverisë Mile Boshnjakovski ka theksuar se pret që nesër Kuvendi të fillojë me punë.
“Tani të gjithë anëtarët e Parlamentit, të gjithë deputetët, pa marrë parasysh përkatësinë partiake, kanë mundësinë historike dhe detyrim para qytetarëve të sigurojnë rrugën e Maqedonisë drejt stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit ekonomik”.
Zëdhënësi qeveritar Mile Boshnjakovski tha se Propozimet kanë të bëjnë me katër ndryshimet kyçe.
“Vendosjen e prapashtesës “e Veriut” në emrin e Republikës së Maqedonisë, ndryshime në preambulën e Kushtetuës, në nenin 3 të saj është rregulluar se territori i Maqedonisë është i pandashëm”.
Nga Kabineti i Kryeparlamentarit Talat Xhaferi thonë se seanca e Komisionit për Çështje kushtetuese dhe seanca plenare për ndryshime kushtetuese do të thirren menjëherë pasi që propozimi të arrijë në arkivën e parlamentit, kurse siç thuhet pritet të bëhet nesër paradite. Burime të TV Klan Maqedoni kanë konfirmuar se edhe sot ka pasur përpjekje intensive të diplomatëve më të autoritetshëm të akredituar në Shkup në mënyrë që të bindin grupimet kryesore politike në vend që të arrijnë konsensus për një zgjidhje kompromise që nënkupton, para së gjithash, miratimin e ndryshimeve kushtetuese me të cilat i hapet rrugë integrimit të vendit në NATO dhe BE.
Si mundësi drejt kompromisit në tavolinën e bisedimeve mësohet të jetë hedhur edhe mundësia e një amnistie për autorët, emrat e të cilëve ishin lakuar në megaskandalin e përgjimeve para tre vjetësh. Mirëpo, për këtë hë për hë, thonë burimet e televizionit tonë, nuk ka ndonjë lëvizje serioze./abcnews.al