Shkuan të mblidhnin fruta, xhihadistët rrëmbejnë 50 gra

schedule08:14 - 16 Janar, 2023

schedule 08:14 - 16 Janar, 2023

Rreth 50 gra janë rrëmbyer nga xhihadistët në Burkina Fason veriore, thonë zyrtarët lokalë.  Banorët në Arbinda thanë se dy grupe grash u morën teksa po mblidhnin gjethe dhe fruta të egra për shkak të mungesës së madhe të ushqimit.

Një numër i vogël kanë arritur të shpëtojnë dhe të ngrenë alarmin. Rrëmbimet ndodhën të enjten dhe të premten, por lajmet sapo kanë dalë, pasi pjesa më e madhe e zonës është bllokuar nga militantët islamikë.

“Gratë u mblodhën për të shkuar dhe për të mbledhur gjethe dhe fruta të egra në shkurre, sepse nuk ka mbetur asgjë për të ngrënë,” tha një banore për agjencinë e lajmeve AFP, duke shtuar se ata ishin larguar me karrocat e tyre të enjten.

“Të enjten në mbrëmje, kur nuk u kthyen, menduam se kishin problem me karrocat. Por tre të mbijetuara u kthyen për të na treguar se çfarë ndodhi”, tha një tjetër banor.

Arbinda në rajonin e Sahelit është goditur rëndë nga kryengritja xhihadiste. Rrugët brenda dhe jashtë janë bllokuar nga xhihadistët, ka uri të madhe pasi furnizimet me ushqime janë të kufizuara dhe situata humanitare është e dëshpëruar.

Muajin e kaluar, protestuesit në Arbindë hynë në magazina për të marrë ushqime dhe furnizime. Burkina Faso në tërësi është goditur nga një kryengritje dhjetëvjeçare që ka zhvendosur gati dy milionë njerëz.

Ushtria mori pushtetin janarin e kaluar, duke premtuar një fund të sulmeve, por dhuna vazhdon ende.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!