“Shkrirja” e gjykatave, kreu i dhomës së avokatisë Lezhë: Shërbimet do t’i mungojnë Kurbinit, t’i kërkohet llogari atyre që morën vendimin

schedule12:13 - 1 Maj, 2023

schedule 12:13 - 1 Maj, 2023

Nga sot nis “shkrirja” e gjykatave në rrethe, mes tyre edhe ajo e Kurbinit. Në lidhje me këtë situatë për mediat ka folur kreu i dhomës vendore të avokatisë në Lezhë, Elton Laska.

Laska tha se nga sot qytetarët e Kurbinit nuk do të kenë më mundësi të marrin shërbimet në këtë institucion dhe të gjitha kompetencat i kanë kaluar gjykatës së Lezhës.

“Për qytetarët që e kanë parë të nevojshme që kjo gjykatë të vazhdojë të ofrojë shërbim këtu, do të duhet të ankohen të ata që e morën këtë vendim” tha Laska.

“Jam sot këtu përpara jush në emër të dhomës vendore të avokatisë Lezhë, për të njoftuar të gjithë qytetarët e Kurbinit, se nga sot kjo gjykatë, bashkë me prokurorinë dhe shërbimin e provës, nuk do të ekzistojnë dhe nuk do të ofrojnë më shërbim.

Kjo si rrjedhojë e propozimit të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe të miratimit që ka dhënë qeveria shqiptare një vit më parë.

Nga sot të gjitha këto institucione do t’i mungojnë qytetarëve të Kurbinit, që do të jenë të detyruar t’i drejtohen Gjykatës së Lezhës ose Gjykatës së Juridiksionit të qarkut Lezhë. Gjithashtu prokuroria, shërbimi provës dhe të gjithë shërbimet që jepeshin nga kjo gjykatë, do të kalojnë në Lezhë.

Të gjithë qytetarët e kanë parë të nevojshme që kjo Gjykatë të vazhdojë të japi shërbim këtu, duhet t’i kërkojnë llogari atyre të cilët morën vendimin për ta mbyllur” tha ai.

Mësohet se gjykata e Kurbinit ka shqyrtuar çdo vit 1,800 dosje, të cilat tashmë do të kalojnë në Lezhë. Vetëm për këtë vit janë në shqyrtim 400 dosje dhe kjo pritet të krijojë shumë volum pune.r.t/abcnews.al