Shkopeti i izoluar, ura mbi Mat 7 vjet e shembur

schedule15:06 - 29 Maj, 2021

schedule 15:06 - 29 Maj, 2021

Nga Ahmet Zani

Shembja e një ure që bënte të mundur kalimin në anë tjetër të Shkopetit ka izoluar disa banorë. Kush do të shkojë në pjesën tjetër të fshatit duhet të përdorë këtë mjet primitiv të rrezikshëm.

Një varkë e impovizuar është ndërtuar nga disa fuçi për të mbajtur këtë tapet me dërrasa. Është dhe ky litar që shërben për të kaluar nga njëri krah tek tjetri.

E morëm këtë rrezik për ta provuar si mund të kalosh lumin Mat me këtë mjet.

Mot i mirë dhe me pak vështirësi ja dolëm.

Nuk kanë qenë të pakta rastet që banorët të cilët kanë kaluar lumin përmes këtij mjeti të improvizuar kanë rrezikuar jetën.

“Janë dy pleq aty që me vdekur s’ka kush ti sjell se dhe varrezat i kemi këtej poshtë. Trapin e ka marrë ujë dhe janë rrezikuar. Kanë dalë në pikë të dimrit me not”, është shprehur një banor.

Ky banor nga të paktët që ka mbetur në Shkopet tregon për shkak të urës shumë familje e kanë braktisur fshatin.

“Ka pasur familje po ikën në Laç se s’kanë ku të dalin. Toka i kanë të papunuar se nuk kanë nga i nxjerrin prodhimet. Sa duhet për një urë 10 a 15 milionë”, tha ai.

Tregon se në këtë fshat nuk është bërë asnjë investim. Nuk promovohet as turizmi në këtë zonë që natyra e ka bekuar. Ndaj banorët mbijetojnë me produktet që prodhojnë vetë.

“10 kokë bagëti kam. Me këto ha dhe pi. Për treg s’ka. Vendin që kemi ne vetëm Alpet mund ta kenë. Çdo qeveri që ka ardhur s’na ka shërbyer”, shprehet ndër të tjera banori.

Ura që lidh dy anët e Shkopetit ka rreth 7 vjet që është shkatërruar. Edhe pse banorët janë ankuar shpesh nuk është marrë asnjë masë për ndërtimin e saj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!