Numri i viktimave nga tërmetet e fuqishme që goditën Turqinë dhe Sirinë më herët gjatë këtij muaji ka kaluar shifrën prej 50.000, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga të dy shtetet.
Tërmetet e 6 shkurtit-prej 7.8 dhe 7.5 ballësh- kanë marrë jetën e 44.218 personave në Turqi, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Anadolu, që ka cituar agjencinë shtetërore të fatkeqësive. Në Sirinë fqinje, numri i viktimave deri më tani është 5.900.
Mbi 160.000 ndërtesa me 520.000 apartamente janë shembur ose janë dëmtuar rëndë nga tërmetet e 6 shkurtit. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, është zotuar se do të rindërtojë të gjitha shtëpitë brenda një viti, edhe pse ekspertët kanë paralajmëruar se autoritetet duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi sigurisë së ndërtesave sesa shpejtësisë së ndërtimit të tyre.