Shkëndija nuk arriti të marrë më shumë se një pikë në transfertën kundër Vardar, sfidë që u mbyll me rezultatin 2-2. Sot, klubi nga Tetova ka reaguar për këtë ndeshje, duke thënë se do t’i drejtohen zyrave të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, për të kërkuar llogari për arbitrimin. Gjithashtu, kuqezinjtë nga Tetova thanë se nuk do të ankohen për racizmin e përdorur kundrejt lojtarëve të tyre, pasi nuk është FFM ajo që ndëshkon raste të tilla.
Reagimi i KF Shkëndija:
KF Shkëndija përmes kësaj shkrese njofton opinionin, për reagimin zyrtar që është në përpilim dhe do të paraqitet para organeve të FFM-së për parregullsitë gjatë referimit të ndeshjes Vardar-Shkëndija.
Ky reagim nuk ka të bëjë me racizmin dhe nacionalizmin që vazhdimisht shprehet gjatë ndeshjeve me FK Vardar në fushën e tyre, gjëra që aspak nuk ndëshkohen nga organizatori kompeticionit FFM, dhe përgjegjësve të tyre të caktuar gjatë ndeshjes të së dielës (delegatë, arbitra etj.). Në fakt ne si klub përshëndesim prezencë sa më masive të shikuesve gjatë çdo ndeshje, përderisa në këto nuk tolerohet nacionalizmi, racizmi dhe në rast më të keq edhe dhuna, nga organizatori i kompeticionit – FFM.
Përkundrazi, ky reagim ka të bëjë me vetë lojën e ditës dielë në Shkup dhe ndikimin në të cilën patën ndarësit e drejtësisë (referet) në dëm të Shkëndijës pa diskutim, nga parregullsitë e shumta të referimit. Ankesa jonë për referimin tendencioz në këtë ndeshje, si dhe kërkesa për masa ndëshkuese ndaj ndarësve të drejtësisë, do përmbajë videomaterialet në vijim që dëshmojnë në shumë raste padrejtësitë gjatë referimit të vetë ndeshjes:
Seria e vendimeve në dëm të ekipit tonë filloi në minutën e 13-të kur harkimi i Alimit devijohet me dorë nga mbrojtësi i Vardarit, Mladenovski dhe në një situatë të qartë (arbitri pas portës kishte pamjen më të mirë) arbitri Stavrev tregon pozicion jashtë lojë. Në minutën e 28-të të ndeshjes Stavrev cilëson me penalti (nga e cila vendasit avansuan) intervenimin e futbollistit tonë Murati ndaj Cetanovskit të Vardarit, ndërsa është e qartë se mungonte edhe kontakti minimal.
Në minutën e 35-të në momentin që KF Shkëndija arriti të barazojë rezultatin, portieri vendas Gaçeski para syve të arbitrit Stavrev godet pa top futbollistin tonë Junior dhe gjithë kjo nuk sanksionohet as me karton të verdhë edhe pse rregullat e futbollit thonë se për startet e këtilla ndëshkimi është karton i kuq. Rasti i radhës vjen në minutën e 36-të kur B. Ibraimi ndalet me faull në zonë nga Serafimovi i Vardarit dhe ky start i qartë për arbitrat ishte i pastër dhe në vend të penaltisë vendosin të ndëshkojnë me të verdhë futbollistin tonë. Në minutën e 50-të KF Shkëndija shënon gol përmes A. Ibraimit dhe i njëjti anulohet për pozicion jashtë loje të cilën prova e video materialit e tregon si të gabuar.
Zakonisht mjafton një vendim i gabueshëm i arbitrave që të përcakton fatin e ndeshjes, mirëpo në ndeshjen e së dielës 5-shja e arbitrave më me përvojë, në krye me Stavrevin (të gjithë nga Shkupi???), duhesh te që të gabojnë pikërisht 5 herë që të nxjerrin epilogun përfundimtar të kësaj sfide në disfavor dhe dëm të KF Shkëndija.
Kjo nuk është hera e parë që gjatë këtij sezoni bëhen padrejtësi në referim ndaj kampionëve në fuqi KF Shkëndija, ndërsa neve si klub asnjëherë nuk e kemi pasur si pjesë të politikës së klubit që të merremi me ankesa dhe reagime të këtij lloji, me qëllim që të fokusohemi në kapacitetet sportive dhe rezultate që veçse një kohë i radhisim si në planin e klubit, po ashtu edhe të përfaqësimit të futbollit nacional në kompeticionet e UEFA-së për klube, apo atë të reprezentacionit tonë. Gjykojmë që nuk është fshehtësi që jemi klubi me më tepër investime në futbollin vendor.
Shpresojmë që kjo ankesë do të jetë motiv edhe për vetë arbitrat e përmendur për të tejkaluar veprimet e tyre në ndeshjen në fjalë dhe në vazhdim të kampionatit të dëshmojnë epitetin e tyre në bazë të vlerësimeve, për të kontribuar bashkërisht në avancimin e futbollit në drejtimin e dëshiruar evropian dhe për të mos lejuar që niveli të kthehet në nivelet e dikurshme të ulëta “alla Gaçevski”.
Gjithsesi nuk duam të keqkuptohemi në asnjë rast se jemi imun ndaj padrejtësive pikërisht në referim, ku shumë lehtë përcaktohet fati i fituesit të ndeshjes, si dhe kampionatit. Nëse përfaqësues të caktuar në FFM kanë agjendë për të dëmtuar KF Shkëndija në objektivat sportive në kampionatin vendor, atëherë kërkojmë që nëpërmjet ankesës dhe materialeve të paraqitura të investigohen pikërisht këto dhe fuqimisht kërkojmë që të penalizohen të njëjtit, së paku që mos përsëriten favorizimet dhe si gjithkund në sport të mundësohet me rregull të fiton më i miri”.