Shkencëtarët kanë identifikuar një gjen i cili dyfishon rrezikun e Covid-19, duke shpjeguar në këtë mënyrë pse disa grupe janë më të prirur ndaj sëmundjeve serioze në krahasim me të tjerët, sipas Bloomberg.
Rreth 60% e njerëzve me origjinë nga Azia Jugore kanë këtë gjen, krahasuar me 15% të njerëzve me origjinë europiane, sipas një studimi të botuar të enjten. Në mesin e popullatës me origjinë afrikane dhe karaibe, gjeni gjendet në vetëm 2% të popullatës.
Gjetjet japin shpjegimin pse janë vënë re norma më të larta të incidencës dhe rrezikut të infektimit në disa komunitete dhe në nën kontinentin Indian. Autorët paralajmërojnë se gjeni nuk mund të jetë i vetmi shpjegim pasi shumë faktorë të tjerë, si kushtet socio-ekonomike, luajnë një rol të rëndësishëm, raporton abcnews.al
Te njerëzit që kanë gjenin, i njohur si LZTFL1, vaksina ishte më efikase, e cila mbetet metoda më e mirë e mbrojtjes, sipas studiuesve. Gjetjet rrisin gjasat e hulumtimit në trajtimet specifike për pacientët me këtë gjen, megjithëse aktualisht nuk ka ilaçe të individualizuara.
Davis dhe kolegët e tij zbuluan gjenin duke përdorur inteligjencën artificiale dhe teknologjinë më të fundit molekulare. Ekipi trajnoi një algoritëm për të analizuar sasi të mëdha të të dhënave gjenetike nga qindra lloje qelizash në të gjithë trupin dhe më pas përdori një teknikë të re që e lejoi atë të fokusohej në ADN-në pas këtij sinjali të veçantë gjenetik.
“Nëse keni gjenin me rrezik më të lartë dhe sëmureni rëndë nga Covid, atëherë ka një shans 50% që kjo të mos ju kishte ndodhur nëse do të kishit gjenotipin me rrezik më të ulët”, u tha Davis gazetarëve.
/abcnews.al