Shkencëtarët amerikanë që krijuan robotët e parë të gjallë kanë deklaruar, se këta lloj robotësh të njohur si xenobots, tani mund të riprodhohen, në një mënyrë që ndryshon nga kafshët dhe bimët, shkruan CNN
Organizmat e vogla u zbuluan për herë të parë në vitin 2020 pasi eksperimentet treguan se ato mund të lëviznin, të punonin së bashku në grupe dhe të vetë-shëroheshin. Tani shkencëtarët që i zhvilluan ato në Universitetin e Vermontit, Universitetin Tufts dhe Institutin Wyss thanë se ata kanë zbuluar një formë krejtësisht të re të riprodhimit biologjik të ndryshëm nga çdo kafshë apo bimë e njohur për shkencën.
“Unë u mahnita nga kjo,” tha Michael Levin. “Bretkosat kanë një mënyrë riprodhimi që e përdorin normalisht, por kur ju çlironi (qelizat) nga pjesa tjetër e embrionit dhe u jepni një shans të kuptojnë se si të jenë në një mjedis të ri, jo vetëm që zbulojnë një mënyrë të re për të lëvizur, por gjejnë gjithashtu një mënyrë të re për t’u riprodhuar.”
Qelizat staminale janë qeliza të pa specializuara që kanë aftësinë të zhvillohen në lloje të ndryshme. Në këtë mënyrë, studiuesit gërvishtën qelizat burimore të gjalla nga embrionet e bretkosave dhe i lanë të inkuboheshin.
“Shumica e njerëzve mendojnë se robotët janë të krijuar nga metale dhe qeramikë, ” tha Josh Bongard, një profesor i shkencave kompjuterike dhe robotikës dhe ekspert në Universitetin e Vermontit dhe autori kryesor i studimit.
“Në këtë mënyrë është një robot, por është gjithashtu një organizëm i krijuar nga qeliza e bretkosës e pamodifikuar gjenetikisht.”
Bongard tha se ata zbuluan se xenobots, të cilët janë të përbërë nga rreth 3,000 qeliza, mund të shumohen. Por kjo ndodhte rrallë dhe vetëm në rrethana specifike. Xenobotss përdorën “përsëritjen kinetike” – një proces që dihet se ndodh në nivel molekular, por nuk është vënë re kurrë më parë në shkallën e qelizave ose organizmave të tëra, tha Bongard.
Me ndihmën e inteligjencës artificiale, studiuesit më pas testuan miliarda forma trupore për t’i bërë xenobots më efektivë në këtë lloj përsëritjeje. Hulumtimi u financua pjesërisht nga Agjencia e Projekteve të Kërkimit të Avancuar të Mbrojtjes, një agjenci federale që mbikëqyr zhvillimin e teknologjisë për përdorim ushtarak.
Studimi është publikuar në revistën shkencore PNAS.
/abcnews.al