Shkencëtarët japin alarmin: Një vrimë e zezë po “gllabëron” një yll të ngjashëm me diellin

schedule16:05 - 11 Shtator, 2023

schedule 16:05 - 11 Shtator, 2023

Vrimat e zeza janë objekte qiellore të njohura për “grykësinë” e tyre pasi tentojnë të “gëlltisin” me tërheqjen e tyre të madhe gravitacionale yjet që kanë fatkeqësinë të jenë pranë tyre. Megjithatë, disa tregohen të jenë më të përmbajtur pasi nuk “gllabërojnë” çdo yll, por përkundrazi i përzgjedhin “viktimat” e tyre qiellore.

Sipas studiuesve, një vrimë e zezë supermasive në qendër të një galaktike relativisht të afërt u regjistrua teksa “gllabëronte” pak nga pak një yll të ngjashëm në madhësi dhe përbërje me diellin, duke konsumuar lëndë gati tre herë më shumë se masa e saj sa herë që ylli i kalonte pranë.

Ylli, i cili ndodhet rreth 250 milionë vite dritë nga sistemi ynë diellor u vëzhgua se si “u gllabërua” pak nga pak nga një vrimë e zezë supermasive në zemrën e një galaktike spirale.

Trupi qiellor u regjistrua të kalonte rreth vrimës së zezë çdo 20 deri në 30 ditë. Në njërën skaj të orbitës së tij, ai i afrohet mjaftueshëm vrimës së zezë për të thithur një pjesë të materialit nga atmosfera e tij yjore, por jo aq afër sa për ta thithur atë të gjithë menjëherë. Ngjarje të tilla yjore quhen “përsëritja e ndërprerjeve të pjesshme të baticës”.

Materiali yjor që bie në vrimën e zezë arrin një temperaturë prej gati 2 milionë gradë Celsius, duke lëshuar një sasi të madhe rrezesh X. Këto rreze u zbuluan nga observatori hapësinor Neil Gehrels Swift i NASA-s.

Kjo vrimë e zezë e veçantë është relativisht e vogël, pasi vlerësohet të ketë një masë disa qindra mijëra herë më të madhe se ajo e diellit. Vrima e zezë supermasive në qendër të galaktikës sonë ka një masë rreth 4 milionë herë më të madhe se ajo e diellit, ndërsa disa të tjera kanë një masë qindra milionë më shumë se ajo e diellit.

Shumica e galaktikave kanë vrima të tilla të zeza në qendër, dhe mjedisi rreth tyre mund të bëhet një nga pjesët “më të errëta” të universit.

“Ajo që ka më shumë gjasa të ndodhë është që orbita e yllit do të bjerë gradualisht dhe ndërsa i afrohet gjithnjë e më shumë vrimës së zezë supermasive, ajo do të copëtohet plotësisht,” shpjegon astrofizikani Rob Eiles-Ferris nga Universiteti i Leicesterit, një nga autorët e hulumtimit të publikuar javën e kaluar në revistën shkencore Nature Astronomy.

“Ky proces ndoshta do të zgjasë të paktën vite, më së shumti dekada apo edhe shekuj,” shtoi ai.

Kjo ishte hera e parë që shkencëtarët kishin vëzhguar një vrimë të zezë supermasive po “luante” vazhdimisht me një yll të kësaj madhësie. Ka shumë pyetje pa përgjigje në lidhje me episodet specifike, pranon Ferris, duke shtuar megjithatë se “e gjithë kjo dëshmon se zbulime të reja mund të dalin në çdo kohë”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!