Në 2002, në Kinë shpërtheu një koronavirus që më pas u identifikua si SARS (Sindroma e Rëndë e Frymëmarrjes Akute), e cila infektoi më shumë se 8,000 persona dhe shkaktoi më shumë se 800 viktima.
Katër vite më vonë ndodhi shpërthimi i Sindromës së Frymëmarrjes në Lindjen e Mesme (MERS), e cili shkaktoi 2,400 raste dhe më shumë se 850 viktima. Sot kemi të bëjmë me lloje të shumta të SARS-CoV-2 – virusi që shkakton COVID-19.
Një ekip shkencëtarësh nga Australia dhe Shtetet e Bashkuara kanë zbuluar se epidemia e koronavirusit shpërtheu në Azinë Lindore rreth 25,000 vite më parë dhe zgjati 20,000 vite. Sipas studimit të tyre, provat e këtij fenomeni mund të gjenden në gjenomet e njerëzve që jetojnë në atë zonë.
Historia e shkruar në gjenet tona
Ashtu si unazat e një peme, kodi ynë gjenetik mund të tregojë një histori rreth ngjarjeve në të kaluarën tonë. Mutacione të rastësishme në gjenet tona do të thotë se disa individë janë më të ndjeshëm se të tjerët ndaj infeksioneve virale ose simptomave të rënda të sëmundjes, raporton abcnews.al
Për shembull, një studim i kohëve të fundit zbuloi se njerëzit që kanë një sërë gjenesh të trashëguara nga njerëzit Neadertal rreth 50,000 vite më parë janë më të rrezikuar nga Covid i rëndë. Por ka mutacione që kanë efektin e kundërt dhe mund të na japin një avantazh për të mbijetuar në momentin që shpërthen një epidemi.
“Tek disa breza, variantet e gjeneve që janë të dobishme rriten në frekuencë,” tha bashkë-autorja e studimit Yassine Souilmi nga Universiteti i Adelaidës.
“Dhe kjo lë një shenjë shumë të veçantë disa breza më vonë.” Por duhen të paktën 500 deri në 1000 vite që ky sinjal të shfaqet në një gjenom të popullatës, “shtoi Dr Soulimi.
Njerëzit kanë qenë të ekspozuar ndaj koronavirusëve për një periudhë prej gati 20,000 vitesh. Dr. Soulimi dhe kolegët e tij thanë se njerëzit mund të jenë infektuar nga koronavirusët shumë vite më parë, diçka që mund të shihej në gjenet tona, raporton abcnews.al
Kështu, ata hulumtuan gjenomet e mijëra njerëzve nga e gjithë bota që janë ruajtur në bazën e të dhënave “1000 Genomes Project”.
Duke përdorur analizat gjenomike, ekipi shqyrtoi 2,500 gjenome të njerëzve modernë nga 26 popullata në të gjithë botën dhe identifikoi 42 proteina të ndryshme me të cilat bashkëveprojnë viruset – dhe duket se janë antike.
Ata zbuluan një shënues gjenetik që lidhet me persona nga Vietnami, Kina dhe Japonia, por jo nga njerëzit në pjesë të tjera të botës.
“Pra përshtatja duket se ka filluar rreth 25,000 vite më parë.”
Kjo jo vetëm që është shenja e parë e ekspozimit të njeriut ndaj koronavirusëve, por gjithashtu tregon edhe për sa kohë mund të qëndrojnë aktive. Studiuesit zbuluan se virusi duket se ka ndaluar të evoluojë në gjenome 5000 vite më parë, që do të thotë se epidemia zgjati për rreth 20,000 vite.
Ajo që është e qartë nga hulumtimi është se njerëzit kanë qenë të ekspozuar ndaj koronavirusëve për një periudhë prej rreth 20,000 vitesh, raporton abcnews.al
“Përshtatja e shumë gjeneve në të njëjtën kohë dhe me të njëjtën shpejtësi mund të shpjegohet vetëm nga ekspozimi i mëparshëm i koronavirusit,” tha Dr. Souilmi.
Studiuesit gjetën gjithashtu prova që virusi që pushtoi qelizat shumë vite më përpara ishte i ngjashëm me SARS-CoV-2.
Të dhënat e të kaluarës mund të na ndihmojnë për të ardhmen
Zbulimi i historisë evolucionare të shpërthimeve të mëparshme të koronavirusit mund të ndihmojë se si ti përgjigjemi pandemive të ardhshme.
“Kjo na tregon se si përhapen viruset dhe për sa kohë janë midis nesh”, tha Dr. Souilmi.
Dhe monitorimi i përshtatjeve gjenetike mund të ndihmojë studiuesit të identifikojnë se cilat gjene janë kryesore për përgjigjen e sistemit imunitar ndaj infeksioneve.
“Kjo mund të sigurojë njohuri në përpjekjet e studiuesve për të prodhuar ilaçe dhe vaksina por për fat të keq, na paralajmëron se do të kemi edhe më shumë epidemi,” tha Dr Souilmi.
“Nëse do ta kishim këtë informacion para fillimit të pandemisë COVID-19, do të kishim qenë më shpejtë në përgjigjet tona,” tha profesori Alexandrov.
Denis Bauer, i cili është i specializuar në bioinformatikë dhe gjenomikë në CSIRO, tha se zbulimet ishin interesante por nevojitej më shumë punë për të kuptuar se si këto gjene evoluojnë.
Faktorët shoqërorë tani janë më të rëndësishëm se gjenet
Vicki Jackson, një shkencëtar në Institutin Walter dhe Eliza Hall për Kërkime Mjekësore, tha se zbulimi i lidhjeve midis gjeneve dhe viruseve mund të na ndihmojë të jemi të përgatitur për sëmundjet e ardhshme.
“Ky studim do të ndihmojë në zhvillimin e ilaçeve për trajtimin e COVID-19 ose sëmundjeve të tjera të koronavirusit, të cilat do të ndodhin në mënyrë të pashmangshme në të ardhmen,” tha Dr. Jackson duke theksuar se faktorët të tillë si qasja në kujdesin shëndetësor dhe masat e shëndetit publik janë shumë të rëndësishme.
Dr Souilmi tha se nuk dihet se sa ndikon përgjegjshmëria e individëve te sëmundja por masa të tilla, si distanca sociale, përdorimi i maskave dhe gjurmimi i kontakteve janë shumë të rëndësishme.
“Gjatë shpërthimit të pandemisë ne nuk kishim njohuri mjekësore mbi këtë temë, as vaksina ose as një përgjigje të koordinuar për të mposhtur një epidemi. Sidoqoftë, ka prova që ne mund të kontrollojmë viruset pasi ne ia kemi dale më gripin spanjoll dhe deri diku me epideminë e Ebola ”, përfundoi ai. Përktheu Sonila Backa-abcnews.al