Ish-trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, foli në një lidhje Skype me emisionin Studio Sprint në ABC News. Trajneri korçar foli në lidhje me situatën që është krijuar në futboll nga pandemia Koronavirus, rifillimin e Superiores dhe të ardhmes së tij personale, ku u shpreh se do të drejtojë një ekip në Superiore sezonin e ardhshëm.
CILËSIA – “Mendoj që është e vështirë, fillimi do të jetë i vështirë. Kjo pauzë e gjatë për të gjithë, nuk është e mirë për futbollistët. Në javët e para do të duken problemet e pushimit të gjatë. Pas kalimit të disa ndeshjeve, do të vazhdojmë të zhvillojmë një kampionat të mirë, cilësor, deri në ndeshjen e fundit”.
LOJTARËT – “Ajo kohë e mjaftueshme do të lihet nga Federata, programi do të jetë i rregullt. Minimumi dy javë do t’iu jepen ekipeve, është gjë normale. Siç e thashë, pavarësisht 2 apo 3 javëve, prapë do të ketë probleme 3-4 ndeshjet e para. Janë gati edhe 13-14 ndeshje përfshirë Kupën e Shqipërisë dhe çdo lojtar, do të marrë formën e mirë”.
FAVORIZIMET – “Unë asnjëherë nuk jam ankuar dhe mendoj se kjo situatë, është e njëjta për të gjithë, nuk ka ekipe të favorizuara. Të gjithë do të nisen të barabartë dhe në fund të kampionatit, secili do të marrë atë që meriton”.
STËRVITJA – “Ne mendojmë, nga ana profesionale, nuk ka sot futbollist që ta lërë veten deri në atë pikë sa të mos stërvitet. Nuk ka nga këta futbollistë. Mesa shikojmë, të gjithë mundohen të përgatiten në mënyrën e tyre. Stërvitja individuale, plus ato 2-3 javë që mund t’i lërë FSHF, do të jenë optimale”.
TITULLI – “Nuk mendoj se do të jepet titull në tavolinë. Tirana është në rrugën e duhur, po bën një kampionat shumë të mirë. Kukësi është rivali kryesor. Edhe unë do të doja që ky titull të vendoset në fushë. Komplimente Tiranës, kam lexuar dhe dëgjuar që e duan titullin në fushë. Kjo gjë është për t’u përshëndetur”.
E ARDHMJA – “Sezonin e ri? Mendoj se do të jem përsëri trajner i një ekipi në Superiore”, përfundoi Shkëmbi./abcnews.al