Shkëmbi: Ndeshje vendimtare për të ardhmen, nuk shkojmë për barazim

schedule12:27 - 2 Dhjetor, 2021

schedule 12:27 - 2 Dhjetor, 2021

Dinamo do të udhëtojë në Laç për t’u përballur me skuadrën e kurbinase në sfidën e javës së 11-të të kampionatit, që do të luhet ditën e nesërme në orën 13:45.

Një sfidë mes të barabartëve duke marrë parasysh se ndeshja e parë mes dy skuadrave ka përfunduar në shifrat 1-1.

Në konferencën për shtyp trajneri i Dinamos, Bledi Shkëmbi ka folur për përballjen me Laçin, duke e konsideruar si vendimtare për të ardhmen.

“Vijmë pas një fitoreje të vështirë. E kam thënë që na duhen pikët që të ngrihemi psikologjikisht. Ndeshjet afër nuk të lënë të shijosh fitoren. Luajmë kundër ekipit më të mirë të kampionatit, pavarësisht pozicionit. Mendoja në fillim se ishin në 2-3 ekipet e para për titull. Kundër të tillë kundërshtarëve duhet të jesh në maksimumin e formës. Vazhdojmë të kemi probleme dëmtimesh. Nuk kemi Maliqin të pezulluar, të tjerët dihen të dëmtuar. Do mundohemi të bëjmë më të mirën me ata që kemi. Kam besim edhe te të rinjtë që kam në dispozicion”, theksoi fillimisht tekniku i bluve.

“Është një kampionat shumë i vështirë. Kam besimin se do të luftojmë për zonën sipër të klasifikimit. Do jemi shumë më të fortë kur të jemi të gjithë. Kjo ndeshje është vendimtare për të ardhmen tonë.

Në fazën e parë Laçi na mori një pikë në minutën e fundit, nuk ia morëm ne. Do shkojmë të bëjmë një ndeshje perfektë për të dalë fitimtarë. Në fund mund të jemi të kënaqur duke pasur parasysh forcën e Laçit. Nuk shkojmë me mendimin për të barazuar. Në fund pastaj bëhen llogaritë.

Nuk më tremb, aq më tepër tani. Kemi luajtur me Laçin, Partizanin e Teutën. Na ka mundur vetëm Vllaznia. I vetmi problem është që javën tjetër të na kthehet ndonjë nga të dëmtuarit. Po luajmë çdo 3-4 ditë dhe na duhen lojtarë, veç lodhjes dhe dëmtimeve”, përfundoi Shkëmbi. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!