Champions League rikthehet këtë javë dhe Inter-Dortmund është një nga duelet më të bukura. Zikaltrit e Contes kanë arritur vetëm një barazim në dy ndeshjet e para dhe e kanë jetike fitoren, ndërsa verdhezinjtë gjermanë (kanë 4 pikë) duan të hedhin një hap drejt kualifikimit.
Dortmundi i dha fund tersit të barazimeve në kampionat. Nënkampionët kishin regjistruar tre herë rresht rezultatin 2-2 dhe përballë Gladbahut kryesues u rikthyen te fitorja. Reus shënoi golin deçiziv, ndërsa Roman Burki ndihmoi ekipin me pritjet e tij.
Portieri zvicerian pësoi një dëmtim në gju dhe la fushën në minutën e 71-të. Ai është në dyshim për ndeshjen me ekipin zikaltër dhe mund të jetë mungesa e madhe e gjermanëve. Gjithsesi, trajneri Favre do të presë deri në momentin e fundit dhe shpreson që 28-vjeçari helvet të arrijë të rikuperohet për duelin e së mërkurës. /abcnews.al