Atletico Madrid dhe Juventus zhvilluan një ndeshje shumë të bukur midis tyre, por në fund nuk pati fitues. Pjesa e parë nuk dhuroi gola, ndërsa në të dytën topi përfundoi katër herë në rrjetë dhe emocionet ishin të mëdha.
Juventusi hapi serinë e golave me anë të Cuadrados, ndërsa Matuidi dyfishoi shifrat më vonë. “Los Colchoneros” nuk u dorëzuan dhe arritën të shënonin dy herë me anë të Savic dhe Herrerës.
Paraqitja pozitive e Cuadrados ka bindur drejtuesit e bardhezinjve t’i ofrojnë një kontratë të re kolumbianit. 31-vjeçarit i përfundon kontrata me “Zonjën e vjetër” verën e ardhshme, por aventura me ekipin e Sarrit pritet të zgjasë akoma.
Goli i bukur i shënuar në Madrid dhe forma e mirë kanë bindur drejtuesit dhe së shpejti pritet një takim mes palëve. “Gazzetta dello Sport” raporton se Juventusi është gati t’i dhurojë një rinovim deri në vitin 2022 anësorit ofensiv, i cili ndihet për mrekulli në Torino. /abcnews.al