Shkëlqen Evengjali Veli, merr medalje bronzi në Europianin e peshëngritjes

schedule22:57 - 4 Prill, 2021

schedule 22:57 - 4 Prill, 2021

Evangjeli Veli fiton medalje bronzi për Shqipërinë në kampionatin europian të peshëngritjes në Rusi. Sportistja 29-vjeçare doli e treta në stilin e shkëputjes dhe zuri vendin e pestë në renditjen e kombinuar

Fillimi ishte i mbarë. Peshëngritje thuajse gjithmonë e ka nderuar Shqipërinë, duke përjashtuar rastet e skandaleve të dopingut dhe nuk po bën përjashtim as Kampionati Europian që po zhvillohet në Moskë. Evangjeli Veli fitoi një medalje bronzi në konkurrimin e saj në peshën deri 55 kg për femra.

Sportistja 29-vjeçare ia doli mbanë, pasi ngriti 89 kg në provën e tretë në stilin e shkëputjes, duke mbetur vetëm 1 kg larg medaljes së argjendit që e fitoi Jajlian e Armenisë, që kishte peshë trupore më të madhe sesa shqiptarja.

Veli realizoi gjithsej 3 prova të suksesshme, pra gjysmën. Ajo ishte më dobët në stilin e shtytjes ku ngriti 105 kg që në provën e parë, por dështoi në 108 kg dy herë radhazi. Kjo bëri që në renditjen e përgjithshme të dilte në vendin e pestë në dygarësh, vetëm 1 kg larg armenes Jajlian.

Në tërësi, Veli është në nivelin e saj normal pasi ka zënë vendin e pestë në dygarësh në Europianin e vitit 2016, e katërta në 2017-ën në Split dhe arriti vendin e 8-të në Lojërat Olimpike 2016 në Rio.

Për meshkuj, Shqipëria përfaqësohet me 4 peshëngritës. Ditën e nesërme në pedanë del Briken Calja, kampioni i Europës në fuqi, që garon në peshën deri 73 kg. Në peshën deri 81 kg, kombëtarja do të ketë Erkand Qerimajn dhe Daniel Godellin, ndërsa në peshën deri 89 kg konkurron Krenar Shoraj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!