Shkelja e protokollit: Lazio ia hedh me një gjobë, dënohet presidenti Lotito

schedule17:40 - 26 Mars, 2021

schedule 17:40 - 26 Mars, 2021

Lazio nuk penalizohet me pikë në renditje dhe shpëton, ndërsa presidenti Claudio Lotito pezullohet me 7 muaj. Ky është vendimi që ka marrë Seksioni Disiplinor i Gjykatës Federale Kombëtare në Itali në lidhje me parregullsitë e tamponëve në klubin kryeqytetas.

Kreu i klubit italian duhet të qëndrojë shtatë muaj larg skuadrës dhe stadiumeve, Lazio është gjobitur me 150 mijë euro, teksa janë pezulluar me nga një vit doktorët Fabio Rodia dhe Ivo Pulcini. Por çfarë ndodhi te bardhekaltrit?

Lazio akuzohet për shkeljen e protokollit të Covid-19. Klubi i testonte futbollistët në një klinikë në Avellino, kurse më pas tamponët janë kryer në Kampusin Biomedical në Romë.

Në disa raste lojtarët kanë rezultuar negativë dhe më pas pozitivë, teksa u krijuan dyshime se klubi bënte lëvizje të jashtëligjshme dhe ka grumbulluar ose aktivizuar lojtarë të infektuar.

Prokuroria dha urdhër të nisin hetimet dhe policia gjyqësore zbriti në terren. Qendra stërvitore e Lazios në Formello dhe laboratori “Futura Diagnostica” në Avellino, ku klubi ka kryer testet në mënyrë private, u vizituan dhe u ekzaminuan nga hetuesit gjatë kësaj kohe. /abcnews.al