Shkelën protokollet e sigurisë në lokale, gjobë 1 mln lekë dy pronarëve në Maliq

schedule09:19 - 21 Gusht, 2020

schedule 09:19 - 21 Gusht, 2020

Policia e Korçës ka vënë në pranga një person dhe ka gjobitur pronarët e dy lokaleve të cilët organizonin dasma në kohë pandemie.

Sipas uniformave blu mësohet se është arrestuar një 18 vjeçar i cili akuzohet se organizonte lojra fati në lokalin e tij.

Ndërkohë në kuadër të operacioneve të zhvilluara për parandalimin e përhapjes së Covid 19 dy lokale që organizonin dasma në Maliq janë gijobitur me 1 milion lekë.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë kontrollet në lokale/subjekte, për goditjen e paligjshmërisë dhe monitorimin e zbatimit të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Arrestohet në flagrancë 1 shtetas i cili ushtronte në lokal aktivitetin e kundërligjshëm të lojrave të fatit.

Gjithashtu ndëshkohen me 1 milion lekë gjobë pronarët e 2 lokaleve, të cilët u konstatuan në shkelje të protokolleve të sigurisë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, si rezultat i kontrolleve të kryera për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që vijojnë të ushtrojnë aktivitetin e paligjshëm të lojrave të fatit, si edhe për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në fshatin Zëmblak, Maliq në lokalin në përdorim të shtetasit S. M., 18 vjeç, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 njësi qendrore, 1 printer termik dhe 1 makinetë lojrash fati pa dokumentacion, të cilat ky shtetas dyshohet se i përdorte për lojra fati të palejuara.

Si edhe në fshatrat Pirg dhe Vashtmi, u konstatuan 2 ambiente (lokale) në të cilët ushtrohej aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar protokollet e sigurisë. Konkretisht në lokalin në pronësi të shtetasit K. Z., banues në Pirg dhe në lokalin në pronësi të shtetasit A. C., banues në fshatin Vashtmi, të cilët u konstatuan duke mos respektuar protokollet e sigurisë dhe duke iu shërbyer disa klientëve në ambientet e brendshme të lokaleve të tyre.

Shërbimet e Policisë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. M., si edhe vendosën ndaj dy pronarëve të lokaleve masën administrative 1 milionë lekë secilit.

Policia​ apelon për të gjithë pronarët/administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!