Shkatërrohet karteli i drogës në Itali që vepronte në zonën e Katanias. Në pranga janë 13 persona nga dy grupe të ndryshme kriminale, mes të cilëve shqiptarë dhe kolumbianë. Gjatë operacionit janë sekuestruar 365 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë dhe kokainë.
Grupi i parë, i përbërë nga shtetas shqiptarë, drejtohej nga “Juli”, Julian Hoxhaj dhe “Endri”, Indrit Karafili, aktiv në importin e sasive të mëdha të narkotikëve nga Shqipëria. I dyti, i kryesuar nga Sebastiano “Mishi” Lombardo, Salvatore Litteri dhe Gioeli Musumeci, merrnin lëndën narkotike nga shqiptarët dhe më pas e shisnin në Katania.
Aksioni për kapjen e tyre u finalizua në orët e para të mëngjesit pas hetimeve të kryera nga Njësia e Policisë Ekonomike dhe Financiare të Guardia di Finanza me mbështetjen e Shërbimit Qendror të Hetimit të Krimit të Organizuar (Scico).
Sipas Anti-Mafia së Katanias, e cila koordinonte hetimet, ‘karteli i drogës’ që vepronte në qytet ishte në gjendje të tregtonte sasi të mëdha droge. Urdhrat e arrestit u firmosën nga gjykata me kërkesë të drejtorisë së qarkut Anti-Mafia të Katanias për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. /mv.abcnews.al