Rezultatet jo të mira në tre javët e para të kampionatit i kanë shkaktuar vendin e punës trajnerit Gentian Begeja. Durrsaku, pas humbjes që Erzeni pësoi në transfertë me Shkumbinin, është shkarkuar. Shijakasit tanimë duhet të gjejnë një tjetër trajner.
Erzeni e nisi kampionatin me pretendime, teksa mundi në ndeshjen e parë Dinamon me shifrat 3-0. Më pas erdhi barazimi në shtëpi më Tërbunin, kurse humbja me Shkumbinin nuk është toleruar. Katër pikë në tre ndeshje janë konsideruar pak nga drejtuesit e klubit të Erzenit.
Një tjetër ekip mund të mbetet pa trajner. Veleçiku e ka nisur keq kampionatin, duke i humbur tre ndeshjet e para. Trajneri Besnik Duli po mendon dorëheqjen. Humbja e fundit me Kastriotin e ka bërë të reflektojë dhe do të flasë me drejtuesit për pozicionin e tij. /abcnews.al