Mauricio Pochettino është rikthyer të flasë për shkarkimin nga Tottenham dhe të ardhmen. Aventura me Spurs mori fund me datë 19 nëntor dhe trajneri pagoi shtrenjtë nisjen e dobët të ekipit dhe mungesën e rezultateve.
47-vjeçari sqaron situatën në një prononcim për Fox Sports Argjentina dhe zbulon objektivin e tij kryesor. Rikthimi në stol pritet të vijë shpejt, teksa Bayern Munchen, Manchester United dhe Arsenal janë klubet e interesuara për Pochettinon.
“Shumë klube kanë projekte interesante, por gjëja më e rëndësishme për momentin është qartësimi i ideve pas 5.5 sezoneve të pabesueshme me Tottenham. Dua të gjej motivimin e duhur dhe qëllimi im është të stërvis në Europë.
Rikthimi në Argjentinë është i vështirë, edhe pse, për të mirën e familjes time, nuk do të refuzoja të punoja këtu. Megjithatë, tani më duhet të pres edhe disa ditë dhe të harroj shkarkimin nga Tottenham. Nuk kam nevojë për shumë ditë për të marrë veten dhe jam i hapur të dëgjoj projektet që do të më paraqiten“, përfundon trajneri argjentinas. /abcnews.al