Emisioni VETTING/ Nga Anila Dedaj
Ekspertët i bien kambanës së alarmit, për monopolizimin e procesit të ligjbërjes në vend. Ata shpjegojnë për “Vetting” mekanizmat e dyshimta e invalidë përmes të cilave deputetët vendosin me konformizëm të propozojnë e miratojnë risi ligjore, që në vend të rregullit krijojnë kaos e hapësirë për afera korruptive. Si i shmanget kryeministri thuajse 80 përqind të votimeve në Kuvend, dhe pse juristët kërkojnë zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës. Nga Ligji për lojërat e Fatit tek Aeroporti i Vlorës, ekspertët shpjegojnë pse Kushtetuesja duhet të shqyrtojë sinjalizimet e Transparency International për ligjet me porosi. Në “Vetting” shqyrtohen komisionet ligjore gjysmake , deri edhe me elementë të listës së zezë të SHBA-ve si dhe paralajmërohet nga juristët ndëshkimi për deputetët e përfshirë në ligjet e dyshimta.
……………………………………….
Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kanë ndikuar edhe në raportet juridike mes Presidentit dhe Parlamentit. Ajo ç’ka ka ngjarë pas vitit 2017, me zgjedhjen e Ilir Metës president, sa i përket mosdekretimeve të ligjeve, krijon një situatë të paprecedentë në historinë e Republikës Parlamentare Shqiptare të postdiktaturës. Gjatë periudhës 2018-2020, presidenti Meta ka shënuar rekord , me 41 akte ligjore të kthyera në Parlament.
Pavarësisht limitimit të autoritetit të Presidentit në 2008-ën, rasti i Metës krijon një situatë të pangjashme, ku ndryshe nga sa e përcakton ligji, aktet kthehen më shumë se një herë. Vetëm për vitin 2020, sicc konstaton Instituti i Studimeve Politike numërohen plot 20 projektligje të Parlamentit të kthyera. Po ashtu, ndryshmet kushtetuese të korrikut të vitit që lamë pas, për herë të parë në demokraci, kaluan pa firmën e Presidentit. Në të vetmin rast kur Parlamenti mori parasysh argumentet e kreut të shtetit, ndikoi ndërhyrja e Komisionit të Venecias.
Të tilla raporte konfliktuale sipas ekspertëve do të duhej jo vetëm të analizoheshin publikisht nga zërat e fushës, por mbi të gjitha të trajtoheshim nga Gjykata Kushtetuese. Në mungesë të tyre, deri tani në ndalimin e shpërthimit masiv të konfliktit, kanë ndikuar palët e huaja.
Krisja më e thellë e raporteve mes palëve u krijua në vitin 2019, ku kundrejt kryeministrit Rama që kërkonte 30 qershorin si datë të zgjedhjeve lokale, presidenti dekretoi 13 tetorin, për të pasur pjesëmarrje gjithëpërfshirëse. Kësaj here, Gjykata Kushtetuese, e vendosur midis kreut të qeverisë e presidentit kërkoi ndihmën shtesë të komisionit të Venecias, që shprehu qëndrimin e tij.
Ndërkohë që për Kushtetuesen, opinion i Venecias mund të konsiderohet si “komardare” shpëtimi në këtë rast, ky organ duhet të përballet me një tjetër vendim të rëndësishëm, sa i përket shqyrtimit të procesit të shkarkimit të presidentit nga Kuvendi, përmes komisioneve të ngritura e ringritura me furi në vetëm 8 ditë, pa dalë nga vala e zgjedhjeve të 25 prillit. Nguti për të rrëzuar presidentin, pa pritur parlamentarët e rinj, vjen sipas ekspertëve edhe prej mossigurisë, se në shtator, mund të mos garantohen 2/3 e votave të domosdoshme.
Mosrespektimi i Kushtetutës vjen sipas juristëve nga të dyja palët, dhe komisioni i ringritur për shkarkimin e Metës, ka mbartur sipas tyre ngërçet e të parit, që siç ata cilësojnë, përfundoi në mënyrë “qesharake”. Konflikti mes Kuvendit dhe Presidencës, reflekton edhe një herë Shqipërinë si një vend të destabilizuar, duke ndikuar negativisht në integrimin e vendit.
Por, mbi të gjitha mungesa e vullnetit për zgjidhje të përbashkëta paqësore, vë edhe njëherë në pikëpyetje qëndrimin e të dyja palëve karshi interesit publik. Ajo që shfaqet si “betejë” mes individësh të përveçëm, mban peshën e qëndrimeve institucionale të shtetit shqiptar, të cilat maxhoranca këmbëngul t’i balancojë me ndërrimin e Presidentit./ Abcnews.al