Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka caktuar sot drejtuesin e përkohshëm për të zëvendësuar postin e Elizabeta Imeraj, e cila u shkarkua dje nga detyra si drejtuese e Prokurorise së Tiranës.
Arens Çela është caktuar Drejtues i përkohëshëm i Prokurorisë së Shkallës së Parë Tiranë.
Këshilli vendosi unanimisht të miratojë projekt –aktin për ndërprerjen e komandimit të prokurorit Arens Çela, i komanduar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kthimin e tij në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ku ka emërimin si prokuror.
Më pas, me 10 (dhjetë) vota pro, është miratuar projekt –akti për caktimin e përkohshëm të prokurorit Arens Çela, në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Në përfundim, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, miratoi hapjen e garës për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Një ditë më parë Elizabeta Imeraj u shkarkua nga detyra, ndërsa vendimi u dha nga KPA, ku u konstatua se disa kritere nga prokurorja nuk plotësoheshin.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra drejtuesen e Prokurorise së Tiranës, Elisabeta Imeraj.
Imeraj ishte konfirmuar më herët në Shkallën e Parë, por me sugjerim te ONM vendimi u ankimua nga Komisioneri Publik. Gjatë procesit në Shkallën e dytë Imeraj kërkoi konfirmim në detyrë, megjithatë trupa e Kolegjit të Apelimit gjeti probleme ne pasurinë e saj.
Në një prononcim për mediat pas procesit në KPA, Imeraj pretendon se janë vendosur në dosje, dokumente të falsifikuara për pasuritë. Sipas Imerajt, vendimi për shkarkimin e saj është i padrejtë dhe ka ndodhur pasi dikujt mund të mos i ketë pëlqyer ndonjë gjykim nga ana e saj. Ajo iu drejtua sërish KPA me pyetjen se kush e donte shkarkimin e saj nga sistemi në drejtësi./abcnews.al/