Shkarkimi? Bejko: Flamur Noka e provokoi Bashën me qëllim, Berisha po bën “grusht shteti”

schedule13:45 - 13 Tetor, 2021

schedule 13:45 - 13 Tetor, 2021

Shkarkimi i Flamur Nokës nga posti i nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë dhe paralajmërimi për ta përjashtuar nga grupi i PD-së ka sjellë reagime të shumta brenda së djathtës shqiptare.

Ish-drejtuesi i PD-së Gjirokastër dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Roland Bejko i ftuar në “ABC LIVE” fajëson Nokën për situatën e krijuar.

Flamur Noka ka dashur edhe ta provokojë situatën.I ka vendosur gjërat në një tjetër kontekst enkas për t’i hedhur “benzinë zjarrit”. Të thuash kryetari i ka quajtur anëtarët e partisë “llum”, me aq sa kam pyetur nuk kishte fare, kjo është bërë enkas për të nxitur mërinë e bazës ndaj kryetarit të partisë. Kjo vjen me strategjinë e Berishës që të marrë të gjithë bazën me vete dhe Basha të largohet” tha ai.

Situatën brenda PD-së, Bejko e cilësoi mjaft të rëndë.  “Situata është shumë konfliktuale. PD është në ditët më të këqija që ka pasur në 30 vite. Është krizë lidershipi. PD nuk duhet të ndahet, por të jetë e bashkuar” tha ai.

Në një lidhje me “Skype” ish-kandidati për kryetar të PD-së, Fatbardh Kadilli duke komentuar deklaratat e Sali Berishës gjatë takimeve në disa qytete, tha se po i kopjon idetë. “Manifestin po mundohet ta përdorë zoti Berisha” tha ai.

Roland Bejko lëvizjen e Sali Berishës e cilësoi “puç”. “Nuk do të ishte “puç” nëse lëvizja e Berishës do të fillonte pas 25 Prillit, por filloi pas datës 9 shtator. Ky është “grusht shteti”” deklaroi ai.

Por si e parashikon Bejko fundin e duelit Basha-Berisha? “Sikur po marrin gjërat, PD po shkon drejt ndarjes, mos e nënvlerësoni zotin Basha” përfundoi ai. / db/Abcnews.al