“Shkaku nuk është lufta”, Tabaku për rritjen e çmimeve: Vendosen nga “bordi i oligarkëve”

schedule12:40 - 11 Qershor, 2022

schedule 12:40 - 11 Qershor, 2022

Deputetja demokrate Jorida Tabaku i është rikthyer edhe njëherë debatit të zhvilluar në Kuvend për rritjen e çmimeve, për të cilat thotë se kanë arritur në nivele stratosferike.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Tabaku shkruan se shkaku i rritjes së çmimeve nuk është lufta, ashtu siç pretendon qeveria.

Duke u ndalur veçanërisht tek çmimi i naftës, Tabaku thotë se çmimet e larta vijnë pasi “tregu i naftës është me oligarkë që kanë centralizuar ofertën dhe qeveria nuk është më në krahun e qytetarëve”

“Diskutuam ditën e djeshme në kuvend rritjen e çmimeve të ushqimeve .

Qeveria u ankua se nuk ka çfarë t’i bëjë luftës në Ukrainë si dhe u justifikua se ka rritjen më të ulët të inflacionit në rajon.

E vërteta është që rritja e çmimeve për ushqimet bazike, zarzavatet  dhe mishin është në nivele stratosferike.

Qeveria justifikohet në vend që të ndërmarrë nisma konkrete me taksat ose shpërndarjen e buxhetit për shqiptarët.

A është vetëm lufta shkaku i rritjes së çmendur të çmimeve? Natyrisht që jo!

Shihni çmimin e karburantit që vendoset nga bordi i oligarkëve dhe që ndikon në rritjen e çmimeve të produkteve të tjera.

Përse rritet çmimi i naftës?

Sepse 60% e çmimit të naftës janë taksa dhe tarifa.

Sepse tregu i naftës është me oligarkë që kanë centralizuar ofertën dhe qeveria nuk është më në krahun e qytetarëve.

Këto shifra që janë të nxjerra nga të dhënat e INSTAT e konfirmojnë qartë problemin e rritjes së çmimeve që ka Shqipëria!”, shkruan deputetja demokrate.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!