Shkaku i largimit të Gegës dhe kandidati i ri

schedule18:53 - 2 Qershor, 2019

schedule 18:53 - 2 Qershor, 2019

Skënder Gega u largua nga Partizani për arsye familjare, por edhe për shkak të kompetencave. Ky informacion jepet nga burime në klub, të cilat theksojnë se Ilir Daja është kandidati kryesor për ta zëvendësuar.

Rrufeja ishte si në qiell të pastër.

Superliga sapo përfundoi me fitoren e titullit nga Partizani, dhe trajneri Skënder Gega e deklaroi hapur për mediat që po mendonte për sezonin e ardhshëm.

Duhet të ulem me klubin dhe të shohim me shumë kujdes kush mund të jetë pjesë e projektit vitin e ardhshëm, nuk kam vlerësuar asnjë as jashtë as brenda superligës, këta që janë do uroja të ishin me ne deri në fund”, tha Gega.

Kaluan vetëm pak ditë, dhe deklarata e klubit ishte një tronditje e vërtetë.

Gega u largua me mirëkuptim, kështu theksuan edhe drejtuesit e Partizanit  në deklaratën e tyre, po kështu edhe vetë Gega, në sqarimin publik në faqen e të kuqve në FB.

Çfarë ndodhi që i ndau kampionët kaq shpejt?

Burime pranë klubit pohojnë dy arsye kryesore, ku shumë rëndësi i japin shkaqeve familjare, me familjen e Gegës në Shtetet e Bashkuara, dhe me distancën që gjithnjë mund të krijojë probleme.

Një sakrifikim i karrierës pra, për familjen.

Arsyeja e dytë jepet lidhur me kompetencat, pasi Gega kërkoi që të vendoste më shumë për afrimin e lojtarëve.

Kjo çarje ndoshta u krijua në dhjetor-janar, kur duheshin bërë përforcimet e dimrit, por lojtarë që thuhej se Gega i pëlqente, si Shkurtaj apo Rroca, nuk erdhën, edhe pse klubi i kishte mundësitë që t’i merrte.

Vetë Gega, sipas burimeve në klub, solli vetëm Dukën me Rexhepin, të cilët e kaluan provën me sukses.

Gjithsesi, tashmë Gega është i larguar dhe, tek Partizani po mendojnë për pasardhësin.

Kandidati kryesor që përmendet është Ilir Daja, tri herë kampion i Shqipërisë me Elbasanin, Dinamon dhe Skënderbeun.

Tekniku i Flamurtarit besohet se përfundon kontratën në mes të qershorit, ndërsa kryeqytetasit ndoshta duhet të fitojnë konkurrencën edhe me Skënderbeun, që gjithashtu e dëshiron ish-trajnerin e tij./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!