Shiste drogë në formë çokollate në dyqanin e materialeve të ndërtimit, kapet 28-vjeçari nga Kruja

schedule09:25 - 4 Dhjetor, 2022

schedule 09:25 - 4 Dhjetor, 2022

Një 28-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Durrësit, pasi është kapur duke shpërndarë lëndë narkotike në dyqanin ku tregtonte materiale ndërtimi.

Për pasojë policia ka sekuestruar 1 kilogram lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, në formë çokollate.

Njoftimi i Policisë

DVP Durrës/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “December”.

Vihet në pranga një 28-vjeçar që shpërndante lëndë narkotike, në subjektin ku tregtonte materiale ndërtimi.

Sekuestrohet 1 kilogram lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, në formë çokollate.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, të DVP Durrës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, pas një hetimi me metoda proaktive, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që shiste lëndë narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin “December”, për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi D. D., 28 vjeç, banues në Krujë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin në pronësi të këtij shtetasi, me fushë veprimtarie tregtim i materialeve të ndërtimit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 kilogram lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, në formën e çokollatës.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas e siguronte lëndën narkotike, nëpërmjet automjeteve të transportit publik.

Punohet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/