Shima: Kobe Bryant është inspirimi im, në çdo ndeshje vesh atletet e tij

18:59 | 28/01/202018:590

Gerti Shima, kapiteni i kombëtares shqiptare të basketbollit, ishte i ftuar në ABC News, për të folur për vdekjen tragjike të Kobe Bryant. 33 vjeçari i thuri elozhe ish-basketbollistit legjendar, duke thënë se ishte pikërisht ai inspirimi i tij.

VDEKJA – “Është e vërtetë, vdekja e Kobe Bryant është një humbje e madhe për basketbollin, dhe për të gjithë sportin, edhe pse ai kishte diçka më shumë se tre vite që nuk ishte aktiv. Ishte diçka e papritur, është e vërtetë që gjithë yjet kanë ngushëlluar atë. Edhe në ndeshjen që u luajt dje në Ligën Ballkanike mes Vllaznisë dhe Rajovecit, ka pasur ajo tradita në kujtim të Kobe Bryant. Ajo ku mbahet topi 24 sekonda, për hir të numrit që ka mbajtur në uniformë. Domethënë, edhe ne i jemi bashkuar. E filluan ato në NBA, dhe ne po e ndjekim në të gjithë botën”.

KARRIERA – “Unë e kam njohur Kobe Bryant, në hapat e para të mia, ai sapo kishte filluar të luante, në vitet ’98. Ishte një ndër të parët që u fut direkt nga High-School në NBA. Ishte lojtari më i ri që ka bërë këtë hap dhe në vitin 2000 më pas, shpallet kampion me Lakers, në moshën 20 vjeçare, 21 vjeç. Më pas, çdo gjë është histori, sepse arriti të bëhet lojtari më i mirë në botë. Mund të them se i vetmi lojtar që mund të krahasohet me Michael Jordan, është Kobe Bryant. Me pikë e ka kaluar, por po flasim për nga niveli i lojës, për atë që i kanë dhënë basketbollin. Me të vërtetë ai u shkëput nga basketbolli para tre vitesh, pati një karrierë shumë të gjatë prej 20 vitesh. Edhe babanë e kishte basketbollist në Itali, dhe vetë Kobe ka luajtur në Itali. Më pas, iku në NBA dhe luajti 20 vite me Lakers, duke u bërë i pari lojtar që luajti 20 vite me të njëjtën skuadër. Edhe kur e la basketbollin, vazhdoi të promovojë këtë sport. Të gjithë yjet aktualë të sportit ishin në fund të sezonit për të marrë çmimet e tyre, por kur Kobe futej në fushë, e gjithë salla ngrihej në këmbë”.

Gerti Shima, me fanellën e kombëtares

KRAHASIMET – “Gjithmonë krahasimet bëhen me lojtarët më të mirë. Kur Jordan ishte në perëndim të karrierës, Kobe ishte në fillim të karrierës. Gjithsesi, që në ato momente, krahasoheshin me njëri-tjetrin. Ajo që mund të them, është se stili i lojës së Jordan dhe arritjet e tij, identifikohej si vetë basketbolli. Ndërsa 20 vitet e fundit, basketbolli ishte Kobe Bryant. Edhe një goditje që bëhet nga një njeri i thjeshtë, thonë: Gjuajtje si Kobe! Jordan ka AirJordan, ndërsa Kobe ka “Mamba”. Hapi akademinë e fëmijëve për basketboll, përveç Amerikës, ka shkuar dhe në Kinë, aty ku është tregu më i madh”.

GIANNA MARIA – “Kobe e kishte gjithmonë me vete vajzën e tij Gianna. Kobe gjithmonë përdorte helikopterin për transport. Edhe kur luante, edhe tani pasi e la basketbollin. Nuk ia dilte dot të shkonte në kohën e duhur në stërvitje, në shtëpi. Gjatë gjithë kohës përdorte helikopterin. Me ato që po lexoja, atë ditë kushtet atmosferike kanë qenë shumë të vështira. Por piloti i Bryant ka marrë leje të veçantë për ta ngritur atë helikopter. Bryant e quante Gianna Marian si trashëgimtaren e tij, e kishte pasion dhe talent basketbollin. Ishte vetëm 13 vjeçe dhe pothuajse kishte të njëjtat të dhëna si Kobe Bryant. Edhe në intervista që bënte, i thoshin Bryant të bënte një djalë që t’ia lësh trashëgimi, ndërsa Bryant thoshte: Nuk ka nevojë, kam Giannën. E kishte shumë përzemër”.

BRYANT – “Kobe ishte një model, deri sa luante ishte modeli që duhet ndjekur, stërvitjet, korrektësinë. Po flasim që të arrish në ato maja, ky ishte i veçantë. Ai ishte si Ronaldo sot, që i mbajnë dietë, bën stërvitje me skuadrën, më pas individualisht. Kështu ishte dhe Kobe Bryant në basketboll. Me të vërtetë, unë hapat e mia të para i kam filluar për shkak të Kobe Bryant. Jo vetëm unë, por shumë të tjerë. I mbaj mend të gjithë koshat e Kobe Bryant, 10 vitet e fundit kam vetëm atletet e tij dhe që i vesh në çdo stërvitje, në çdo ndeshje”, përfundoi Shima./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono