Shpëtim Duro nuk është më trajneri i Laçit. Eliminimi nga Petrocub në raundin e dytë të Conference League ka sjellë ndryshime te nënkampionët e Shqipërisë.
Dejan Zarubica dhe Renato Malota kanë mbyllur bashkëpunimet e tyre me Laçin, teksa është larguar edhe tekniku Duro.
62-vjeçari mori drejtimin e ekipit kurbinas më 7 prill. Aventura e dytë në stolin e Laçit zgjati rreth 4 muaj, saktësisht 115 ditë. Panorama Sport ka zbuluar fjalët e trajnerit pas eliminimit nga Conference League.
“Duke marr shkas nga ajo që ndodhi në ndeshjen e kthimit me Petrokub dhe veçanërisht nga ai shpërfytyrim në 30 minutat e fundit, kam vendosur të mos vazhdoj më bashkëpunimin me Laçin. Të jem i sinqertë, jam mërzitur shumë.
Ky është një vendim i pakthyeshëm që e kam marrë që para dy ditësh me veten time. Respekt për të gjithë në klubin e Laçit, kemi kaluar dy sezone fantastike me rezultate të mëdha dhe historike. Zhgënjimi i vetëm është që nuk kaluam këtë tur të dytë me ekipin moldav”, ka thënë Duro./ h.ll/abcnews.al