Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Bostoni për “ABC e Mëngjesit”, sipërmarrësja Elena Lekaj Myshqeri ndau historinë frymëzuese të jetës dhe biznesit së saj që sot ka kthyer byrekun shkodran në një hit të kuzhinës shqiptare në SHBA.
Prej më shumë se 30 vitesh në industrinë e restoranteve, Elena tregoi se pasioni i saj për gatimin nisi që herët dhe u shndërrua në biznes të suksesshëm në Amerikë. Me 9 dyqane zinxhir aktualisht në zona të ndryshme të Bostonit, ajo ofron byrek me mish e gjizë, kos të përgatitur vetë dhe një dashuri të veçantë për traditën shkodrane që po e ndjen gjithnjë e më shumë edhe publiku amerikan.
Por suksesi i saj nuk ka ardhur pa sakrifica. Elena rrëfeu historinë dramatike të arratisjes nga Shqipëria në vitin 1988 me një peshkarexhë, së bashku me familjen. “Babai ishte peshkatar, dhe kur vëllai donte të ikte, ai tha ‘O të gjithë, o asnjë!’”, kujton ajo. Rruga drejt lirisë përfshiu orë të gjata fshehjeje në Shirokë, shpëtim nga plumbat në kufirin jugosllav dhe muaj të tërë në pasiguri deri në mbërritjen në SHBA.
Sot, krahas bashkëshortit, ish-mësues në Shqipëri që tani merret me menaxhimin e restoranteve, Elena është bërë ambasadore e vërtetë e shijes dhe kulturës shqiptare në Boston. “Amerikanët po njohin traditat tona përmes ushqimit”, tha ajo me krenari.

