Shifrat në rritje të rasteve me koronavirus në vend, gjatë kësaj jave janë nga më të lartat e shënuara ndonjëherë që prej fillimit të epidemisë.
Kjo për faktin se periudha vjeshtë-dimër, sipas ekspertëve të shëndetit, do të sillte rritje të numrit të infeksioneve, por edhe sepse numri i testimeve është rritur.
Nga raportimet e Ministrisë së Shëndetësisë, vihet re se kjo javë ka shënuar shifrat më të larta, si të infeksioneve, po ashtu edhe të viktimave.
Kështu, që prej së hënës deri sot, Ministria e Shëndetësisë ka raportuar për 1658 raste me Sars-Cov-2.
Tepër shqetësues shihet të jetë edhe numri i viktimave, i cili që prej së hënës, vijon të jetë në të njëjtat shifra duke regjistruar 32 viktima në total.
Për sa i përket numrit të të shtruarve në dy spitalet Covid, numri i tyre vijon të mbetet në shifrat e 255 personave, ndërsa numri i të intubuarve çdo ditë pothuaj regjistron 5 raste.
Sipas raportimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i të shëruarve në javën e fundit, është rritur duke regjistruar 521 persona në total.
Duke patur këto shifra në rritje të koronavirusit, Ministria e Shëndetësisë vijon të bëjë apel për ruajtjen e distancës dhe higjienës, ndërsa me akt normativ ka bërë të detyrueshme, mbajtjen e maskës edhe në ambiente publike.
n.d./abcnews.al